E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha viziton grevistët: Mundësojmë strehimin tranzitor. Banorët kundërshtojnë

Rikthim në banesat e tyre nëse në dokumentacionet dhe procedurat e ndjekura nga përmbarimi do të konstatohen shkelje. Këtë garanci ka dhënë kreu i Bashkisë, Lulzim Basha për 14 familjet që u nxorën jashtë banesave në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet, e ku 9 prej tyre janë ngujuar në grevë urie.

Teksa u interesua për gjendjen shëndetësore të grevistëve si dhe dëgjoi shqetësimet e banorëve, Basha tha se Bashkia e Tiranës përmes donatorëve, pasi ligjërisht nuk i lejohet të paguajë, do i sigurojë familjeve që të strehohen për një periudhe tre mujore, dhe pastaj të shihet mundësia e strehimit.

Do mundësojmë strehimin për një periudhë tranzitore. Ju kemi ofruar banorëve mundësinë e tranzicionit në banesa me qira, tha Basha për mediat.

Por banorët kanë kundërshtuar propozimin e Bashës, pasi deklaruan se nuk mund të pranojnë më strehim tranzitor dhe banesat sociale i kanë të pamundur ti mbajnë.

14 familjet që u nxorën jashtë banesave nga Përmbarimi, në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet, vijojnë edhe sot grevën e urisë. Aktualisht mësohet se grevën po e vazhdojnë 9 banorë, pasi 4 të moshuar dhe një grua rreth 45-50 janë detyruar ta ndërpresin atë për shkak të problemeve shëndetësore.

Katër të moshuarit, mbi 60 vjeç, kanë shfaqur probleme me tensionin dhe zemrën dhe janë dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ndërkohë, pasditen e sotme një tjetër banore është ndjerë keq. Mësohet se grevistja vuan nga diabeti dhe menjëherë është marrë nga ambulanca për ti dhënë mjekimin e duhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›