Basha vs Olldashi/ A ishte kjo fushatë vetëm për shfaqje?
Të hënën demokratët u drejtohen sërish kutive të votimit.
Një muaj pas humbjes shokuese, ata këtë herë do zgjedhin kryetarin e ri.
Gjithçka ka rrjedhur rrufeshëm për ta.
Në garë janë Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha.
Më i kuotuari është Basha, për shkak se njihet si njeri i afërt me Berishën dhe familjen e tij.
Por në të vërtetë a ka pasur fushatë këto ditë?
Asnjëri nuk ka guxuar të lëshojë ndonjë fjalë kundër Berishës apo të flasë për arsye të brendshme që çuan në humbjen e zgjedhjeve.
Olldashi është disi më i ashpër se Basha, pasi thotë se Berisha nuk ka qenë kolegjial aq sa duhet dhe se është pasionant.
Basha nuk ka shans të zërë në gojë diçka të tillë.
Olldashi ka folur për dorëheqje në rast të humbjes së zgjedhjeve, kurse Basha nuk ka folur për këtë gjë.
Të gjitha fjalimet e Bashës shkojnë e mbyllen në një pikë: ai mund të fitojë sërish ndaj Ramës.
Të dy thonë se mazhoranca e re u ka blerë votat, por Olldashi është më konkret kur vendos gishtin mbi Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Madje Olldashi thotë se ka vetëm dy blloqe në garë, ndërsa shprehet kategorikisht kundër aleancës me individë apo parti nga e majta.
Basha nuk ka folur gjë për këtë çështje.
Olldashi kërkon që kryesia të zgjerohet, thotë se duhet një trupë këshillimore pranë kryetarit, thekson se partia është e hapur, por duhet të ketë një sistem karriere, që të mos ketë katapultime.
Në këtë drejtim Basha nuk flet, por vetëm sa thekson se duhet ngritur në piedestal anëtari i PD-së.
Olldashi ka preferuar që të dalë në debate televizive dhe në intervista në disa media që i konsideron edhe si armike, kurse Basha si gjithmonë nuk pranon të përballet me median.
Çudi si mund të jetë lider opozite!
Të dy në fakt deri më tani kanë nisur kaseta të gatshme për televizionet dhe asnjë media nuk ka ndjekur se si janë takimet e tyre në bazë.
Basha është krenuar me pritjen që i ka bërë Tropoja dhe Vlora, kurse Olldashi krenohet me faktin se i njeh shumë mirë strukturat.
Askush nuk ka preferuar që të rreshtohet publikisht në krah të ndonjë kandidati, me ndonjë përjashtim të vogël.
Në këtë pikëpamje, frika për rreshtim të jep idenë e një gare të fiksuar.
Por deri të hënën ose të martën, të presim!/ep