Bashkëjetonte me 14-vjeçaren/ Gjykata e Fierit lë në burg 34-vjeçarin

Gjykata e Fierit ka lënë në burg 34-vjeçarin Aranit Arapi nga Divjaka pasi akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me një të mitur 14 vjeçare nga Roskoveci.
Aranit Arapi nga fshati Kryekuq i Divjakës është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e 10 janarit. Prangosja e tij u bë në banesë pasi prej 10 muajsh ishte në një lidhje me një vajzë 14-vjeçare.
E mitura që prej muajit mars të vitit të shkuar jetonte me familjen e djalit ndërsa këta të fundit kishin bërë edhe dasmë. Lidhja është kundërshtuar vazhdimisht nga prindërit e vajzës të cilët e kanë denoncuar rastin në polici. Ndërsa 34 vjeçari është shoqëruar disa herë nga uniformat blu, por më pas është lënë i lirë gjatë kësaj periudhe derisa pas denoncimit të radhës, Arapi u arrestua mbrëmjen e së mërkurës.
Ndërkaq, prindërit e djalit thonë se vajza ka qëndruar në shtëpinë e tyre me dëshirë ndërsa diçka të tillë e ka shprehur edhe para policisë. Sipas tyre, as ata dhe as djali nuk kanë qenë në dijeni të moshës së saktë të vajzës. Pas arrestimit të 34-vjeçarit, e mitura është larguar nga banesa e tij dhe është nën asistencën e psikologëve dhe sociologëve.
/rtsh.al/