Bashkëpunim Shqipëri – Kosovë për regjistrimin e popullsisë
Në kuadrin e realizimit të projektit për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave (REPOBA), Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Z. Genc Pollo priti sot në një takim pune delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës të kryesuar nga Zv.Ministri i kësaj ministrie Z. Naim Fetahu.
Ky takim mbështeti frymën e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes dy vendeve në kohën kur dhe Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për një proces të tillë duke synuar në një proces të suksesshëm dhe krijimin e një platforme më të detajuar për popullsinë e Kosovës. Rregjistrimi në Kosovë do të kryhet gjatë muajit Prill 2010, në të njëjtën kohë me Shqipërinë.
Bashkëpunimi mes dy qeverive do të konsistojë në:
a) shkëmbimin e informacione të përgjithshme dhe të hollësishme mbi procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
b) mundësinë e ofrimit të një asistence dhe ekperience nga pala shqiptare gjatë të njejtit proces që do të zhvillohet dhe në Kosovë;
c) diskutimin lidhur me problematikën dhe pyetësorin që do të përdoret gjatë këtij regjistrimi në Shqipëri mbi formën e “vete deklarimit nga të anketuarit” etj;
ç) nxitjen e bashkëpunimit midis dy ministrive përgjegjëse për e-Qeverisjen, nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi në fushën e TIK, si dhe përfshirjen në këtë memorandum të bashkëpunimit në procesin e regjstrimit të popullsisë dhe banesave;
Gjatë këtij takimi u bë një prezantim nga ministri Pollo mbi procesin e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave , si dhe mbi mënyrën e krijimit dhe të funksionimit të Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të kryesuar nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Z. Genc Pollo.
Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave është ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili drejtohet nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit dhe në përbërje të tij janë ministri të linjës të përfshira në këtë proces kaq të rëndësishëm si dhe institucione të tjera qendrore dhe INSTAT si organi kryesor ekzekutiv/sekretariat teknik.
04/08/2010