E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Ura e Dajlanit – Kodra e Rrashbullit, në Durrës

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Ura e Dajlanit - Kodrat e Rrashbullit, në Durrës, një investim i qeverisë, që kap vlerën 2 milion euro. Në fjalën e tij kryeministri tha se, vetëm 5 vitet e fundit janë investuar në këtë qytet dhe komunat e tij 12 herë më shumë se 8 vitet pararendëse të marra së bashku.

Duke u ndalur tek zhvillimi i turizmit në vend, Kryeministri Berisha tha se në pesë vitet e fundit është dhjetëfishuar numri i turistëve në Shqipëri dhe vetëm këtë viti, numri i turistëve të huaj në plazhet e Durrësit, por dhe në mbarë Shqipërinë, ka pësuar një rritje prej 25%. Kryeministri tha se kjo qeveri, do të vijojë punën e saj për shtimin e investimeve të mëdha në mbarë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë evropian.

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha:


"Të dashur qytetarë dhe qytetare të Durrësi, z. Ministër, zotërinj deputet, zotërinj qeveritarë vendorë.

Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë e veçantë që inaugurojmë së bashku një bulevard të ri madhështor për qytetin e Durrësit, i cili po njeh këto vite kohërat më të bukura në 3 mijë vitet e fundit. Durrësi, si asnjëherë tjetër është zmadhuar dhe zmadhohet çdo ditë, është fuqizuar dhe fuqizohet çdo ditë. Durrësi këto vite është shndërruar në një nga qendrat më të fuqishme të zhvillimit të vendit. Vetëm 5 vitet e fundit janë investuar në këtë qytet dhe komunat e tij 12 herë më shumë se 8 vitet pararendëse të marra së bashku.

Në Durrës dhe komunat e qarkut të tij, janë asfaltuar mbi 400 km rrugë, janë ndërtuar mbi 40 shkolla, mbi 50 qendra shëndetësore, me qindra kilometra kanalizime. Durrësi si qark, qëndron në krye për infrastrukturën e tij. Komunat e Durrësit, qyteti, bashkitë e tjera, janë transformuar krejtësisht.

Durrësi ka dhe portin më të madh të vendit, po ndërtohet terminali i ri modern, janë zgjeruar kapacitetet e tij, pret këto ditë dhjetëra herë më shumë sesa 4-5 vite më parë, por Durrësi është epiqendra e turizmit të vendit, ndaj dhe unë shfrytëzoj rastin në emër tuaj dhe të qeverisë shqiptare, të përshëndes çdo pushues, çdo turist, qytetarë me origjinë shqiptare ose të huaj , që ka vendosur të kalojë në brigjet e bukura të Durrësit, në brigjet e Jonit dhe Adriatikut në tërësi, pushimet e tij.

Ju uroj pushime të mbara dhe i garantoj pushuesit, se kjo qeveri së bashku me këta qytetarë do ta bëjë Durrësin, Vlorën, Bregun, Lezhën, Velipojën, Divjakën, Golemin , çdo ditë dhe më tërheqës, çdo ditë dhe më mikpritës për ju dhe njerëzit tuaj.

Duhet tu shpreh mirënjohjen të gjithë turistëve me origjinë shqiptare apo të huaj, që kontribuojnë me pushimet e tyre në mënyrë të ndjeshme në buxhetet e familjeve shqiptare, kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë shqiptare.

Zonja dhe zotërinj,

Turizmi ka njohur dhe njeh një bum të papërmbajtur. Në rast se në vitin 2004, kufijtë e këtij vendi i kaluan gjithsej 300 mijë qytetarë , vitin e kaluar kjo shifër ishte 3 milion. Asnjë vend në 5 vite nuk ka njohur kurrë dhjetëfishim të numrit të tij të turistëve siç ka njohur Shqipëria. Po këtë vit si duken si janë zhvillimet? Janë jashtëzakonisht pozitive. Këtë vit numri i të huajve që vjen në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë ka një rritje prej 25%.

Pra turizmi është shndërruar në një kohë të shkurtër në degë kryesore të ekonomisë shqiptare. Le të ftojmë ne sot kallogjerët e krizës të kalojnë një ditë në plazhin e Durrësit, por jo me gjyzlykët e tyre, të bisedojnë me njerëzit të bisedojnë me pushuesit dhe do të kuptojnë se flasin nga ana e pasme e hënës, se flasin nga errësira. Shqipëria është krejt tjetër. Ata që çdo ditë vajtojnë për krizën duhet ta dinë se ky vend sot ka dinamizmin ekonomik më të madh në historinë saj, duhet ta dinë se përveç rritjes më të madhe të rrogave dhe pensioneve sot së bashku me ju hapëm siparin e një zinxhiri pa fund inaugurimesh, që do të shtrihen nga mali i çajupit deri në Valbonë.

Unë ftoj sërish deputetët socialist të vijnë në këto inaugurime, sepse këto nuk kanë karakter partiak, përkundrazi këto janë për të gjithë shqiptarët, këto janë mundi dhe djersa e shqiptarëve, e shndërruar në vepra, në rrugë , në shkolla, në ujësjellës e kanalizime.

Qytetarë dhe qytetare të Durrësit, kriza botërore ishte prova më e fuqishme e ekonomisë shqiptare, ishte prova më e fuqishme e politikave të drejta të ndjekura nga kjo qeveri, ishte prova më e fuqishme e qëndrimeve, e mundit dhe djersës suaj. Ekonomia shqiptare nuk u përkul, sepse bazohet mbi mundin dhe djersën tuaj ,mbi sakrificën tuja, bazohet në liri dhe shfrytëzimin racional të saj nga qytetarët e saj. Këtë vit duhet tu informoj se, disa tregues janë më të mirë se kurrë, me shpejtësi të madhe po ngushtohet disbalanca tregtare, me shpejtësi të madhe, po rriten eksportet, po rritet prodhimi, të gjitha këto janë dëshmi e vitalitetit të një ekonomie, e cila bazohet e tëra në zhvillime reale dhe jo në flluska.

Edhe njëherë ju ftoj të bëjmë së bashku çdo përpjekje për të mikpritur me dinjitetin më të madh, miliona turist që vizitojnë Durrësin dhe Shqipërinë, të vazhdojnë të sigurt për ndërtimin e Shqipërisë evropiane. Asgjë nuk ka në trashëgimin tonë më evropianë se Durrësi dhe visaret e tij. Le të punojmë ne së bashku për këtë fytyrë të vërtetë Evropiane të Shqipërisë në të katër anët e saj. Në këto katër vite, ne do të ndërtojmë infrastrukturën në mbarë Shqipërinë. Ne do të bëjmë që çdo komune nga çdo qendër komune cilado qoftë ajo, të zbritet për 30 minuta në aksin e rrugëve kombëtare, nga çdo fshat ku jetojnë qytetarët shqiptare, të zbritet për 30 minuta në qendër të komunës. Ne, do të bëjmë që kudo, shkollat në këtë vend të jenë të standardeve më të mira. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të pasur ujin 24 orë, siç meritojnë qytetarët shqiptare. Kjo është rruga që kemi zgjedhur ne, rrugë me lumenj djerse, por rrugë dinjitoze. Shqipëria do të jetë evropiane vetëm e vetëm pasi ajo të ketë rrugët e saj, ujësjellsat e saj, kanalizimet e saj, shkollat e saj, spitalet e saj njëlloj me Evropën dhe ne do i bëjmë ato".


04/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›