E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunimi UBT–BOKU, model i rëndësishëm europian në arsimin e lartë

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Bashkëpunimi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe Universitetit BOKU të Vjenës, një nga institucionet më prestigjioze në Austri dhe Evropë, po jep rezultate konkrete dhe po shndërrohet në një model të rëndësishëm bashkëpunimi europian në arsimin e lartë.

Rektorja e BOKU University, Eva Schulev-Steindl, vlerësoi progresin e projektit të përbashkët me UBT, duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi universitar në rrugën europiane të Shqipërisë.

Në një intervistë për mediet Schulev-Steindl, tha se “bashkëpunimi mes universiteteve në Europë është sot më i rëndësishëm se kurrë më parë. Me perspektivën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ky bashkëpunim bëhet edhe më i rëndësishëm”.

Ajo bëri të ditur se projekti i përbashkët mes dy universiteteve ka hyrë tashmë në vitin e dytë të zbatimit, ndërsa reformat e ndërmarra po sjellin rezultate konkrete në modernizimin e programeve akademike dhe rritjen e interesit të studentëve.

“Programet Bachelor janë rindërtuar nga e para dhe tashmë po tërheqin më shumë studentë. Numri i studentëve në programet e riformatuara në bashkëpunim me BOKU është rritur me 20% vitin e fundit dhe kjo është vërtet mbresëlënëse”, tha rektorja e BOKU University.

Sipas saj, partneriteti mes UBT dhe BOKU University po ecën në drejtimin e duhur, duke sjellë transformim real në arsimin e lartë dhe duke forcuar lidhjet akademike europiane.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm një projekt akademik, por një investim për të ardhmen europiane të studentëve dhe universiteteve tona”, theksoi Eva Schulev-Steindl.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›