E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozita me materiale të rralla në Kalanë e Tiranës, ATSH kujtesa e një kombi përmes fotografisë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Për dhjetë ditë me radhë, në Kalanë e Tiranës, qëndroi e hapur ekspozita, “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”.

Ekspozita me fotografi historike dhe materiale arkivore ngjalli interes tek vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj për historikun e Agjencisë Telegrafike Shqiptare që daton prej viteve të para të shekullit të 20-të.

Po ashtu, personalitete të njohura të jetës publike dhe mediatike vizituan ekspozitën duke shprehur vlerësim për punën e institucionit ndër vite.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, historiani Neritan Ceka, fotografi Roland Tasho, sopranoja Edit Mihali, studiuesi dhe drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave, Stefan Çapaliku, ishin disa prej figurave të njohura që u bënë pjesë e ekspozitës.

Ndërsa Tirana tashmë tërheq vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme të botës çdo ditë, nuk ishte e rastësishme që ekspozita pati interesin e shumë prej tyre, duke e konsideruar si surprizë e bukur që u dha mundësinë të njihnin më shumë nga historia e vendit, por edhe për zhvillimet e medias.

Ata qëndruan në stenda duke treguar interes për të njohur historinë e Shqipërisë, përmes fotografive, ku panë edhe se si ka evoluuar mënyra të bërit dhe transmetimit të lajmit, ndër vite.

Përveç fotografive dhe dokumenteve, gjatë dhjetë ditëve aty u ekspozuan edhe aparaturat me të cilat punohej dikur në laboratorin e ATSH-së për përpunimin e imazheve, si dhe makina e shkrimit me të cilën kanë punuar dikur gazetarët dhe përkthyesit e ATSH-së.

Përveç turistëve të shumtë, të apasionuarve pas fotove të vjetra dhe historisë, ekspozita u vizitua edhe nga personalitete të botës së artit, akademikë, gazetarë e politikanë. Shumë prej tyre u shprehën falënderues për imazhet apo dokumentet e risjella në vëmendje. Ata theksuan se ATSH mbetet një aset i çmuar kombëtar i lajmit dhe historisë mediatike të vendit.

Këndi i ekspozitës së ATSH-së në Kalanë e Tiranës u kthye në një pikë ndalese nga guida të ndryshme turistike. Grupet e turistëve përqendroheshin kryesisht tek fotografitë ikonë të viteve ’90: hedhja e bustit të diktatorit, protestat e studentëve, ikja masive drejt Italisë, me anijen “Vlora” etj.

Vizitorët më të veçantë ishin ish-punonjësit e ATSH-së. Shumë prej tyre me një karrierë 40-vjeçare në këtë institucion, erdhën të shihnin nëpër fotografi veten, kolegët, si dhe kujtuan me nostalgji punën e bërë me pasion e përkushtim.

Ekspozita erdhi në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA). Mes materialeve të ekspozuara ishin marrëveshje historike të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare, ligji i shtypit i vitit 1931, dokumente mbi transmetimin e lajmit në periudha lufte, fotografi të gazetarëve në terren, materiale që pasqyrojnë zhvillimin institucional të lajmit ndër vite, relacione mbi problemet e transmetimit të lajmeve në kohë lufte, si dhe ballina gazetash të botuara gjatë periudhës 1945-1990.

Sot, ATSH bashkëpunon me mbi 35 agjenci dhe institucione ndërkombëtare mediatike, përfshirë AFP, ANSA, PA, DPA, EFE, LUSA, Anadolu Agency dhe APA. Ajo është gjithashtu anëtare e rrjeteve prestigjioze si European Newsroom (ENR), Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve (AMAN) dhe ABNA-SE.

Institucioni disponon një arkiv me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, që datojnë nga viti 1913 deri sot, ndërsa procesi i digjitalizimit të tyre është në vijim.

1 nga 18

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›