E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkëpunimi mes “Harry Fultz” dhe RIT, Rama: Hapim një derë të re për teknologjinë

Në Institutin Harry Fultz në Tiranë do të hapet një program i ri akademik në bashkëpunim me Institutin e Teknologjisë Rochester (RIT), një nga universitetet më të njohura në SHBA. Ky bashkëpunim do të mundësojë që nxënësit e Institutit Harry Fultz të vazhdojnë studimet për teknologjinë në Shqipëri, por me standardet amerikane duke marrë një diplomë të njohur ndërkombëtarisht.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se ky program është një mundësi e shkëlqyer për studentët shqiptarë për të hyrë në tregun e punës në fushën e teknologjisë, ku kërkesa për profesionistë është në rritje. Ai theksoi gjithashtu se, falë një kontributi të veçantë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, do të ofrohen bursa për studentët që dëshirojnë të ndjekin këtë program.

“Sot kremtojmë këtë moment të zyrtarizmit të këtij programi dhe të hapes së rrugës për aplikime për të nisur me studimet në këtë kampus duke filluar nga sezoni i ardhshëm akademik. Të gjithë nxënësit e Harry Fultzit për të thelluar studimet po këtu, por duke u bërë edhe amerikan në profesion. Ne sot jemi në kushtet ku po zhvillohet në mënyrë intensive interesi por edhe praktika e studimeve të gjitha niveleve për teknologjinë e re. Duke qene se në këtë program të ri ka një kontribut të posaçëm edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, dua të theksoj se ky kontribut ndihmon në futjen në teknologji me programe të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Rama u shpreh se në vend po krijohet një ekosistem i tërë në fushën e studimit në teknologji, që përveç programit Tumos dhe bashkëpunimit me RIT, përfshin gjithashtu hapjen e një shkolle ekselence franceze dhe liceu për teknologjinë në Korçë, një projekt që po zhvillohet në bashkëpunim me presidentin francez, Emmanuel Macron. Ky hap ka për qëllim të sjellë mundësi të reja për studentët dhe të krijojë lidhje më të ngushta me kompanitë e teknologjisë.

“Në shtator do hapim dyert e një shkolle ekselencë franceze po në fushën e teknologjisë dhe paralelisht me të edhe liceun francez për teknologjinë në Korçë, një projekt që po e ndjekim së bashku me presidentin Macron. Po krijohet një ekosistem i tërë për të mundësuar studimin e teknologjisë dhe punësimin në këtë drejtim. Sot kompanitë janë më të interesuar për t’u lidhur me këto institucione dhe të bëjnë marrëveshje për punë që në bankat e shkollës. Kërkesa e sipërmarrjeve shqiptare për punonjës me dije në fushën e teknologjisë është e lartë dhe ofertat e pagave janë të larta. Nga sot kanë një derë të re të hapur për të gjithë që duan të hyjnë në derën e teknologjisë dhe në fund të marrin një diplomë që është e njëjta nëse do shkonin ta merrnin në SHBA. Gjithashtu Fondacioni Shqiptaro-Amerikan do të ofrojë bursa për studentët”, u shpreh kryeministri.

Programi do të nisë zbatimin në sezonin akademik të ardhshëm dhe do të ofrojë mundësi për studentët që të marrin një edukim të nivelit të lartë në fushën e teknologjisë, me kosto më të ulët krahasuar me studimet në SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›