E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bashkëpunimi ndërpolicor, Proda pret përfaqësues të ambasadës franceze

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti në një takim përfaqësues të Ambasadës së Francës në Tiranë.

Gjatë takimit u diskutuan rezultatet e arritura nga bashkëpunimi ndërpolicor, për aspekte të ndryshme si: shkëmbimi aktiv i informacioneve, lufta kundër terrorizmit, hetimet proaktive për gjurmimin e aseteve të krimit, lufta ndaj krimeve kundër pronës dhe krimeve të tjera financiare, si dhe kundër kalimit ilegal të kufijve.

Policia e Shtetit bëri të ditur se Proda shprehu gatishmërinë e Policisë së Shtetit, për të marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare, si e barabartë me partnerët europianë, si dhe garantoi partnerët francezë, se bashkëpunimi me ta do të intensifikohet, me qëllim arritjen e qëllimit të përbashkët, luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Ambasadës së Francës Thierry Baurres, Atashe për Sigurinë e Brendshme dhe Christophe Cherault, oficer ndërlidhes për migracionin, uruan drejtorin për detyrën e re dhe e siguruan atë që asistenca, besimi dhe partneriteti i agjencive ligjzbatuese franceze, për Policinë shqiptare, do të jenë të vazhdueshme.

/j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›