Ndryshime ligjore nga Këshillimi Kombëtar, Jaupaj: Forcojmë sanksionet për ndotësit e mjedisit

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në drejtimin e kryetarit Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi në cilësinë e komisionit përgjegjës projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar.
Të ftuar për këtë projektligj ishin zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe stafi shoqërues.
Në prezantim të këtij projektligji, Jaupaj u shpreh se, “ndryshimet ligjore janë iniciuar si rezultat i procesit të Këshillimit Kombëtar, nga ku rezultoi se për të parandaluar ndotjen e mjedisit nga disa kategori veprimtarish të ushtruara nga individë apo subjekte, me ose pa lejen përkatëse të mjedisit, qytetarët vlerësuan ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore në fushën e mjedisit, duke rritur sanksionet ndaj kundërvajtësve në mjedis”.
Sipas tij, gjatë zbatimit të ligjit janë hasur disa problematika si për sa i përket zbatimit të kushteve të lejes së mjedisit, ashtu edhe përshtatjes së lejeve sipas kërkesave të këtij ligji nga operatorët.
“Në këtë kuadër, është vlerësuar ndërmarrja e nismës për ashpërsimin e kundërvajtjeve administrative, në masën 30% të vlerës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit. Gjithashtu, nëpërmjet këtij projektligji synohet të realizohet ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative, të parashikuara në ligjin “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, duke i kthyer ato si titull ekzekutiv, me përfundimin e procesit të ankimit administrativ dhe ekzekutimin e tyre nga zyra e përmbarimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit “Për kundërvajtjet administrative”, theksoi zëvendësministri Jaupaj.
Relatorja e çështjes deputetja Mirela Pitushi, tha se zhvillimi ekonomik që ka ndodhur vitet e fundit në vendin tonë ka pasur ndikimin e vet dhe në drejtim të ndërmarrjes dhe forcimit të masave për mbrojtjen së mjedisit. Rritja e shpejtë dhe intensive ekonomike sjell një sërë çështjesh mjedisore, të cilat ndikojnë në komponentët e mbrojtjes së mjedisit, ku përfshihen toka, uji, ndryshimet e klimës, ndotja e ajrit etj.
“Në këtë këndvështrim, është propozuar edhe ashpërsimi i masave administrative të parashikuara në ligjin “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, në masën 30%, krahasuar me ligjin në fuqi. Në aspektin ekonomik është gjykuar se rritja e gjobave në rast kundërvajtjesh me 30% është një rritje proporcionale dhe do të ketë ndikim ekonomik tek operatorët kundërvajtës”, vuri në dukje Pitushi.
Mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme, dhe më pas anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. /j.p/