Bashkëshorti i saj lidhje biznesi në Rusi, Kryeministrja e Estonisë nën presion, kërkohet dorëheqja e saj

Kryeministrja estoneze po përballet me presionin në rritje në lidhje me pretendimet se bashkëshorti i saj ruan marrëdhënie biznesi me Rusinë, për të cilat presidenti i vendit deklaron se po vënë në pikëpyetje besueshmërinë e shtetit të Estonisë.
Një javë më parë, u publikuan raporte se Stark Logistics, një kompani pjesërisht në pronësi të bashkëshortit të Kaja Kallas, Arvo Hallik, ka bërë biznes në Rusi që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Kallas dhe Hallik thonë se biznesi po ndihmonte një kompani tjetër estoneze, Metaprint, për të përfunduar tregtinë në Rusi. Mediat lokale kanë raportuar se Metaprint i ka shitur Rusisë mallra me vlerë 17 milionë euro.
Kallas ka thënë se nuk ka asnjë përfshirje në biznesin e bashkëshortit të saj, duke thënë se “Unë dhe bashkëshorti im nuk diskutojmë kurrë biznes në shtëpi”.
Por raportet në korrik sugjeruan se ajo i dha bashkëshortit një hua prej 350,000 € për qëllime investimi, si dhe ka kryer disa vizita në Metaprint si kryeministre. Kallas thotë se vizitat e saj në Metaprint ishin para fillimit të luftës në Ukrainë dhe se ajo kurrë nuk kishte diskutuar natyrën ose qëllimin e huasë për të shoqin.
Kryeministrja, një mbështetëse e zëshme e Ukrainës kundër Rusisë, refuzoi të merrte pjesë në një komitet të caktuar të planifikuar të hënën (28 gusht), ku pritej të diskutonte financimin për zyrën presidenciale. Ka paqartësi nëse Kallas do të marrë pjesë në një komitet të përzgjedhur kundër korrupsionit gjatë ditës së sotme, duke diskutuar mbi aktivitetet e vazhdueshme të biznesit në Rusi gjatë konfliktit në Ukrainë.
Kryetari i komitetit të buxhetit, Urmas Reinsalu i partisë opozitare Isamaa, e përshkroi sjelljen e Kallas si të paprecedentë dhe bëri thirrje për dorëheqjen e saj.
“Një lider qeverie që i mungon kapitali moral është gjithashtu një kërcënim për sigurinë, duke minuar besueshmërinë tonë ndërkombëtare në lidhje me një politikë të vendosur sanksionesh dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën”, tha Reinsalu.
Kallas, një ish-avokate dhe e bija e ish-kryeministrit të Estonisë, Siim Kallas, vlerësohet se ka rritur statusin ndërkombëtar të vendit baltik dhe e qortoi publikisht presidentin francez, Emmanuel Macron, që zhvilloi bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, në ditët e para të luftës.
Pretendimet janë në kontrast me mbështetjen e zjarrtë të Estonisë për luftën e Ukrainës kundër Rusisë dhe avokimin e Kallas për sanksione kundër Kremlinit, duke i kërkuar Evropës të shkurtojë varësinë e saj energjetike ruse.
Estonia është ndër donatorët më të mëdhenj të ndihmës ushtarake, humanitare dhe ekonomike për Ukrainën për frymë, pavarësisht se po përballet me inflacion deri në 25%.
/rtsh.al/