Avari teknike/ Toyota pezullon punën në 12 fabrikat e veta në Japoni

Prodhuesi më i madh i automobilëve në botë, Toyota, njoftoi të martën se ka pezulluar punën në të 14 fabrikat e saj të montimit në Japoni për shkak të një avarie në sistemin e prodhimit.
Zëdhënësi i kompanisë tha se problemi teknik nuk e lejon Toyota-n të porositë komponentët e duhur, megjithatë shtoi se “me siguri nuk bëhet fjalë për një sulm kibernetik”.
Prodhimi i brendshëm i Toyota-s ka pësuar luhatje pasi një serie uljesh të prodhimit si pasojë e mungesës së gjysmëpërçuesve. Prodhimi u rrit me 29% në janar–qershor 2023, rritja e parë në dy vjet.
Prodhimi i kompanisë japoneze ishte mesatarisht 13 500 automjete çdo ditë në gjysmën e parë të vitit, pa përfshirë automjetet nga grupi Daihatsu dhe Hino.
Vitin e kaluar, operacionet teknike u ndalën për një ditë pasi një prej furnizuesve të Toyota-s u sulmua nga interneti. Puna rifilloi duke përdorur një rrjet rezervë.
Ndërsa shkaku i avarisë së fundit mbetet i paqartë, korporatat japoneze prej ditësh janë në gatishmëri, pasi bizneset dhe zyrat qeveritare po marrin telefonata kërcënuese.
Qeveria pretendon se telefonatat mund të kenë për origjinë Kinën dhe janë pasojë e shkarkimit të ujit radioaktiv të trajtuar në Oqeanin Paqësor, sasi që Japonia e ka mbledhur ndër vite nga centrali i shkatërruar i Fukushimës. /Reuters
/rtsh.al/