Bashkëshorti tentoi ta digjte me benzinë, Koçiu viziton 31-vjeçaren në QSUT: Mbështetje për të dhe fëmijët e saj

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçi ka vizituar sot Melisa Trendafilin, 31-vjeçaren nga Korçë e cila po merr shërbim të specializuar shëndetësor në repartin e Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi dy ditë më parë bashkëshorti i saj tentoi ta digjte me benzinë.
Ministrja Koçiu bën me dije se gjendja shëndetësore e Melisës është jashtë rrezikut për jetën, me parametra normale, por që do të vazhdojë të jetë në ndjekje dhe monitorim nga stafit i mjekëve në QSUNT deri në stabilizimin e plotë të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu ka ritheksuar mbështetjen e saj personale, por edhe të institucionit që ajo drejton për të ndihmuar Melisën dhe dy fëmijët e saj.
“Dhimbjet e plagëve të marra nga dora kriminale e atij që duhet të ishte mburoja e saj dhe e fëmijëve duhet të kthehen në forcë për tu bërë bashkë si një familje e për t’i thënë JO çdo forme dhune e cila duhet të ndëshkohet në formën më të rendë.
Isha pak çaste me Melisën e familjen e saj në QSUNT, ku për fat të mirë, ajo është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e plotë të ekipit mjekësor. Si ministre, e mbi të gjitha si grua e nënë, siguroj që Melisa dhe dy fëmijët e saj do të kenë të gjithë mbështetjen tonë dhe bashkë do të luftojmë kundër këtij fenomeni shqetësues që nuk duhet t’i përkasë më shoqërisë tonë”, shkruan Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu ka shprehur mirënjohje për ekipin mjekësor të QSUNT-së, që çdo ditë bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë.
/rtsh.al/