Bashkia Lezhë – Mbetjet, me orar dhe kamera. Vendosen masa për të frenuar ndotjen urbane dhe abuzimet

Për një mjedis më të pastër, Bashkia Lezhë ka vendosur që hedhja e mbeturinave të kryhet vetëm me orar: nga ora 19:00 deri në 21:00 për qytetarët dhe nga 20:00 deri në 23:00 për bizneset.
Vendimi erdhi pas problematikave të përsëritura me ndotjen urbane.
“Pranë disa kontejnerëve është evidentuar që ka shumë mbetje, që hidhen orar pa orar dhe pa kriter. Bashkia Lezhë ka bërë të mundur implementimin e disa kamerave për të evidentuar se kush i ndot këto ambiente. Faktikisht, vendosja e këtyre kamerave ka qenë plotësisht eficiente. Ka pasur një produktivitet të madh, pasi brenda 24 orëve janë evidentuar disa subjekte që i ndotnin këto ambiente,” tregon Jurgen Marku, drejtor i Shërbimeve Publike në Bashkinë Lezhë.
Për zbatimin e masës janë vendosur kamera sigurie në disa pika problematike.
Zoti Marku thekson se ndotësit më të mëdhenj janë bizneset dhe paralajmëron se shkelësit do të përballen me masa ndëshkimore.
“Theksoj që ndotjen e bëjnë subjektet dhe jo qytetarët. Të gjitha këto subjekte janë njoftuar më parë nga Bashkia, gjatë vendosjes, por edhe pas vendosjes së kamerave, dhe janë këshilluar nga Bashkia e Lezhës për respektimin e orareve dhe rregullave,” shprehet drejtori i Shërbimeve Publike.
Kjo nismë synon ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe bizneseve për të respektuar rregullat e menaxhimit të mbetjeve dhe për të mos u bërë burim ndotjeje.
/rtsh.al/