E Hënë, 2 Nëntor 2026

Deputeti finlandez Eemeli Peltonen, 30 vjeç, ndërron jetë në ambientet e Parlamentit, dyshohet për vetëvrasje

Finlanda është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të deputetit të ri Eemeli Peltonen, i cili vdiq të martën në ambientet e Parlamentit në Helsinki.

Vdekja e 30-vjeçarit është konfirmuar nga Departamenti i Komunikimit i Parlamentit, i cili shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e tij.

Sipas mediave finlandeze, përfshirë tabloidin “Iltalehti”, dyshohet se Peltonen i ka dhënë fund jetës së tij brenda godinës së Parlamentit.

Informacioni është konfirmuar gjithashtu nga drejtori i Sigurisë së Parlamentit, Aaro Toivonen.

Policia njoftoi se thirrja e urgjencës u mor në orën 11:06 paradite dhe se hetimet po zhvillohen si “verifikim i shkaqeve të vdekjes”, pa prova që të sugjerojnë një akt kriminal.

Peltonen, i zgjedhur për herë të parë në Parlament në zgjedhjet e vitit 2023 me 5,747 vota, ishte pjesë e Komitetit Administrativ dhe Komitetit Ligjor.

Ai kishte një karrierë të hershme në politikë, duke u bërë këshilltar bashkiak në Järvenpää në moshën 18-vjeçare dhe më pas kryetar i këshillit në moshën 22-vjeçare – më i riu në historinë e qytetit.

Në qershor, Peltonen kishte ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale se kishte marrë trajtim për probleme me veshkat dhe kishte kaluar disa javë në shtëpi për rikuperim.

Ngjarja ka shkaktuar trishtim të thellë në opinionin publik dhe në qarqet politike në Finlandë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›