E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia: Më 12 shtator Azem Hajdari prehet tek 'Varrezat e Dëshmorëve'

TIRANE- Bashkia e Tiranës njofton se që nga data 12 shtator, “Heroi i Demokracisë” Azem Hajdari, do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Bashkia nëpërmjet një deklarate për shtypin, njofton se personalitete të larta të jetës politike nga Shqipëria dhe më gjerë, kryetarët e partive politike, studentë të dhjetorit ’90, intelektualë, miq , shokë dhe kolegë, do të zhvillojnë homazhe në orën 10:00, në Pallatin e Kongresve, më pas në orën 12:00 do bëhet përcjellja dhe ceremonia e varrimit për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Azem Hajdari, “Heroi i Demokracisë” mban titullin më të lartë të Republikës së Shqipërisë “Urdhërin e Flamurit” dhe urdhërin më të lartë në Republikën e Kosovës, “Medaljen e Lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, të dhënë nga ish - Presidenti Ibrahim Rugova. 

Azem Hajdari është Qytetar Nderi i Tiranës dhe pothuajse i të gjithë bashkive dhe komunave të Republikës së Shqipërisë.

Biografia e Azem Hajdarit:

- Azem Hajdari u lind më 11 mars 1963, në qytetin Bajram Curri;
- I martuar, me tre fëmijë, Kirjaldi, Rudina dhe Azemi i vogël, i lindur katër muaj pas vdekjes së Azemit;
- Më 1987, fiton të drejtën e studimit dhe regjistrohet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike;
- Në vitin 1993 diplomohet për filozofi, në Universitetin e Tiranës;
- Në vitin 1995 diplomohet si jurist, në Universitetin e Tiranës;
- Në vitet 1993-1994 ndjek kualifikim pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për filozofi;
- Më 1996 ndjek kualifikim për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen, në Gjermani;

Aktiviteti Politik:

- Dhjetor 1990 - Udhëheqës i Lëvizjes Studentore;
- Dhjetor 1990 – shkurt - Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike;
- 1991 – 1993 - Nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe anëtar i Komitetit të saj Drejtues;
- 31 mars 1991- Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shkodrën;
- 22 mars 1992 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Shijakun;
- 26 maj 1996 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Bulqizën;
- 29 qershor 1997 - Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tropojën;
- 1992-1996 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un;
- Nëntor 1996 - Kryetar i Sindikatave të Pavarura Shqiptare;
- Qershor 1997 - Kryetar i Komisionit Kuvendor për Mbrojtjen Kombëtare;
- 1995 – 1998 - President i klubit të futbollit “Vllaznia” - Shkodër dhe president i Federatës Shqiptare të Arteve Marciale

Vlerësime për Heroin e Demokracisë:

- Urdhëri i Flamurit;
- Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, dhënë nga Presidenti i Republikës;
- Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, dhënë nga ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, në vitin 2003;
- Urdhëri “Nderi i Kombit” (2002);
- Pishtar i Demokracisë;
- “Qytetar Nderi” i qytetit të Tiranës, Vlorës dhe i pothuajse të gjithë bashkive e komunave të Shqipërisë 

(m.s/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›