Bashkia: Përrallë me lejet e ndërtimit, pushteti nuk ka prova, por vetëm baltë
Tiranë, 24 gusht, NOA Në vijim të përgjigjes së saj për akuzat mbi lejet e ndërtimit që PD ka ngritur kundër kryebashkiakut Edi Rama, Bashkia e Tiranës deklaroi se sot ka depozituar 6 kallëzime të tjera në prokurori dhe Gjykatë për shpifjet në adresë të kryetarit të saj.
Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani theksoi se bashkë me gjashtë kallëzimet e depozituara sot mbushen plot 40 raste shpifjesh ndaj Bashkisë së Tiranës, të denoncuara nga ajo, në pritje që të paditurit të paraqesin provat.
Duke iu referuar asaj që Bashkia e quan përralla me lejet e ndërtimit, zëdhënësi Serjani siguroi sakaq se Bashkia e kryeqytetit do ti provojë opinionit publik se kjo përrallë është një sajesë e shpifur e pushtetit.
Kur duhet të japin llogari për provat e korrupsionit të tyre, pushtetarët e korruptuar ia nisin menjëherë avazit të lejeve të ndërtimit, nënvizoi Serjani.
Sipas tij, përralla me lejet e ndërtimit, ku kryebashkiaku Edi Rama cilësohet nga deputetët e PD-së, si Zoti 20 përqindsh, tregohet nga pushteti pikërisht sepse ai nuk ka prova, por vetëm baltë me leje ndërtimi, në përpjekjen e dëshpëruar për të mos dhënë llogari për skandalet e korrupsionit të tij.
mit/NOA