Bashkia Shkodër nis punën për rikthimin e mensës studentore pas 16 vitesh mungesë

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Bashkia Shkodër ka nisur punën për rikthimin e mensës studentore në Shkodër, pas 16 vitesh mungesë.
Sipas drejtoreshës së Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve, Sindis Kopliku, ky shërbim ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e studentëve dhe pritet të jetë funksional në muajt e parë të vitit 2025.
Nisur nga kjo kërkesë e vazhdueshme, me iniciativën e kryetarit të bashkisë Benet Beci u bë i mundur ky investim, i cili do të ofrojë mundësinë që studentët të konsumojnë vakte të shëndetshme me çmime të përballueshme.
Sipas Koplikut, mensa studentore në Shkodër përveç shërbimit për studentët, do të jetë e hapur edhe për qytetarët e Shkodrës.
Investimi për krijimin e mensës studentore në afërsi të konviktit do të ketë parametra optimalë, ku kryefjalë do të jenë cilësia dhe kushtet higjieno-sanitare.
/a.f/r.e/