Bashkia Tropojë vijon investimet në infrastrukturë – Projekte jo vetëm në qytet, por në të gjitha njësitë administrative

Bashkia Tropojë ka intensifikuar punën për investimet infrastrukturore, duke e vendosur zhvillimin e rrugëve dhe hapësirave publike në qendër të prioriteteve të saj.
Nënkryetarja e Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, tregoi për rëndësinë e këtyre investimeve dhe përkushtimin e bashkisë për ta çuar përpara zhvillimin e territorit.
“Bashkia Tropojë ka prioritet zhvillimin e infrastrukturës. Kryetari i bashkisë me stafin e tij ka marrë masat që të ketë zhvillime në infrastrukturë jo vetëm në qytet por në të gjitha fshatrat”, u shpreh Islamaj.
Ajo theksoi gjithashtu se çdo ndërhyrje në akset rrugore është menduar për të plotësuar nevojat e banorëve dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në lëvizjen e përditshme.
“Është shumë e rëndësishme që çdo rrugë që të hapet ju vjen në shërbim komunitetit dhe është e rëndësishme gjithashtu edhe për zhvillimin ekonomik”, tha ajo.
Investimet në infrastrukturë po shihen si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së jetës dhe përmirësimit të shërbimeve në të gjithë territorin e Tropojës.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/