E Diel, 1 Nëntor 2026

“Komisar daltoniko në Teatër”, shfaqja vjen si homazh për aktorin e regjisorin e ndjerë Naun Shundi

Në skenën “Çehov” të Teatrit Metropol u çel mbrëmjen e 21 nëntorit premiera e shfaqjes “Komisar Daltoniko në Teatër”, një prodhim i Teatrit “Zonja e Bujtinës” në bashkëpunim me Teatrin Metropol.

Teksti i dramaturgut italian, Giuseppe Della Misericordia vjen i përshtatur për publikun shqiptar nga regjisori Naser Shatrolli, i cili i ka dhënë veprës një qasje moderne, ku komedia, grotesku dhe ironia ndërthuren me reflektime mbi pushtetin dhe artin.

Në skenë interpretojnë emra të njohur si Bujar Asqeriu, Marius Dhrami, Rajmonda Shundi dhe Adelina Muça, të cilët sjellin me intensitet dhe finesë një histori ku teatri përplaset me autoritetin, duke krijuar situata absurde e të ngarkuara me simbolikë.

Skenografia dhe kostumografia janë krijuar nga Sara Doda, e cila përmes një koncepti vizual të thjeshtë, por domethënës, e kthen hapësirën skenike në një personazh më vete. Muzika e Endri Sinës dhe asistenca regjisoriale e Maria Brokshit plotësojnë mozaikun artistik të shfaqjes.

“Komisar Daltoniko në Teatër” vjen edhe si një homazh për regjisorin e ndjerë Naun Shundi, i cili nisi punën për këtë projekt dhe kujtimi i tij shoqëron premierën në çdo detaj.

Shfaqja do të vijojë të jetë në repertorin e Teatrit Metropol edhe me date 22 dhe 23 nëntor duke ofruar për publikun një udhëtim mes komedisë, reflektimit dhe një qasjeje bashkëkohore ndaj realiteteve shoqërore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›