E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia e Shkodrës ndërhyn për të liruar rrugën drejt Thethit, e bllokuar pas reshjeve intensive

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të adresuar situatën e krijuar në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, ku u bllokuan 5 mjete dhe 9 persona për shkak të shembjes së një masivi inertesh si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive.

Kryebashkiaku Benet Beci bëri të ditur se, “makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar”.

“Strukturat tona po punojnë me intensitet për të normalizuar qarkullimin dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo situatë e krijuar nga kushtet e vështira atmosferike”, theksoi Beci në një postim në rrjetet sociale, teksa postoi edhe një video.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›