Bashkia e Tiranës, ja 4 paditë për Berishën, Olldashin, Vocajn dhe PD-në

Tiranë, 11 Dhjetor NOA Lajm dhe foto Update - Sot u depozituan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë katër kallëzime për fillimin e çështjeve penale kundër kryeministrit, për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës tek Tajvani si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin parashikuar nga neni 240 i Kodit Penal.
Migena Vishko, Drejtore e Drejtorisë Juridike në Bashkinë e Tiranës i tha agjencisë së lajmeve NOA se gjithashtu është depozituar padi ndaj funksionarit të Partisë Demokratike, z.Aldo Bumci për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës tek Tajvani si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin parashikuar nga neni 240 i Kodit Penal;
Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, z.Hekuran Hoxhalli për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, në lidhje me vendimin për prishjen e objektit 12 kat datë 07.12.2009 parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
Drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, z.Tonin Vocaj si dhe Zëvendësdrejtorit për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, z.Gjergji Jorgo për kryerjen e veprës penale të ushtrimit të dhunës dhe shpërdorimit të detyrës, në lidhje me tubimin e datës 5 dhjetor 2009 parashikuar nga neni 90 dhe 248 i Kodit Penal.
Gjithashtu, po sot janë depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë 2 (dy) padi civile, me të paditur:
Kryeministrin e RSH, me objekt Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar nga cënimi i dinjitetit në shumën 20.000.000 Lek (shuma 20.000.000 lekë do të përdoret për blerjen dhe mbjelljen 1250 pemëve të llojit bli, gështenjë e egër dhe rrap, me cirkoferencë 24 milimetra) - në lidhje me deklaratat për shitjen e tokës tek Tajvani si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin;
Partinë Demokratike, me objekt Detyrimi për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e demit jo pasuror të shkaktuar nga cënimi i dinjitetit në shumën 20.000.000 Lek (shuma 20.000.000 lekë do të përdoret për blerjen dhe mbjelljen 1250 pemëve të llojit bli, gështenjë e egër dhe rrap, me cirkoferencë 24 milimetra) - për shkak të deklaratave të dhëna nëpërmjet sekretarit të saj organizativ, z.Aldo Bumçi, në lidhje me shitjen e tokës tek Tajvani si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.
e.r/NOA