E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, kompensim me 50 lekë/litër karburanti për transportin publik

TIRAË, 22 prill/ATSH/ Në mbledhjen e sotme, këshilli bashkiak votoi edhe projektvendimin për kompensimin e shoqërive të transportit publik, për kostot e karburantit, si pjesë e një pakete antikrizë.

Në fjalën e saj, kryetarja në detyrë e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se kompensimi parashikon një vlerë prej 50 lekësh për litër karburanti për këto shoqëri transporti për muajt mars – prill – maj 2026.

“Çmimet e nënprodukteve të naftës dhe gazit kanë shënuar një tjetër rekord të lartë, si pasojë e krizës energjetike globale. Këto tregojnë qartë se lufta vazhdon të rrisë presionin në sistem, ndërkohë që rreziku i ndërprerjes së furnizimeve ende nuk është vlerësuar plotësisht dhe duhet të jemi të gatshëm për një rritje të mëtejshme të çmimeve. Ndër të tjera, ndikimet e rritjes së çmimit të naftës kanë implikime të dukshme dhe kritike për sektorin e transportit”, theksoi Ristani.

Ristani vuri në dukje se “projektvendimi i propozuar parashikon kompensimin prej 50 lekësh për litër karburanti për këto shoqëri për tre muajt mars – prill – maj 2026, me një kufi të konsumit të karburantit bazuar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar sipas deklarimeve të këtyre kompanive”.

Sipas saj, efektet financiare do të mbulohen nga fondet qendrore dhe buxheti i bashkisë Tiranë për shoqëritë e transportit urban.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›