E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton bonusin për strehim për banorët e pallatit “Arlis” në Tiranë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Bashkia e Tiranës do të mbështesë me ndihmë financiare banorët e pallatit “Arlis” në rrugën e Dibrës që u përfshi nga flakët disa ditë më parë.

Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, kryetarja në detyrë e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, njoftoi se familjet e mbetura pa strehim do të mbështeten me 40 mijë lekë në muaj.

“Për fat të mirë nga verifikimet nuk pati asnjë humbje apo lëndim serioz për jetë. Por zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturat e banimit dhe ka bërë thuajse të papërdorshme për banim një numër të konsiderueshëm apartamentesh, çka ka krijuar një nevojë urgjente për strehim për familjet e prekura. Ndërhyrja jonë për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare është jo vetëm e bazuar në ligj, por edhe domosdoshmëri për garantimin e mbrojtjes së jetës, shëndetit dhe dinjitetit të qytetarëve të prekur”, theksoi Ristani.

Ristani u shpreh se masa e propozuar e ndihmës do të bazohet në vlerat maksimale të subvencionit për zonën B të territorit të Tiranës, që është 40,000 lekë në muaj për secilën familje në nevojë.

“Projektvendimi që propozojmë është i bazuar dhe proporcional me kërkesën për zbutjen e pasojave emergjente dhe garanton se bashkia Tiranë merr përgjegjësitë e saj për mbështetjen sociale të atyre qytetarëve që u prekën direkt nga kjo ngjarje tragjike”, tha Ristani.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›