E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia nis restaurimin e Memorialit të Rilindësve

SHKRUAN: Bledar Shehu 23-03-2011 10:28

Pas problematikës së ngritur vazhdimisht nga opinioni qytetar në Gjirokastër për harresën dhe dëmtimin e Memorialit të Rilindësve, bashkia e qyteti ka nisur një projekt të veçantë për restaurimin e tij. Në një organizim të zhvilluar ditën e hënë, në mjediset e këtij memoriali, përfaqësues të bashkisë së qytetit kanë publikuar projektin i cili do të ketë si qëllim restaurimin e varreve të patriotëve Bajo dhe Çerçiz Topulli, A. Z. Çajupi, Koto Hoxhi dhe Pandeli Sotiri. Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Bime, faza e parë e projektit synon restaurimin e varreve të pesë rilindësve si edhe sistemimin e këtij mjedisi, ndërkohë që në fazën e dytë do të restaurohet piedestali i gurtë dhe shqiponja prej bronzi që ndodhet në të. Memoriali i Rilindësve në Gjirokastër ka një histori gati 80-vjeçare, e cila nis me vendosjen në këtë kodër të eshtrave të Bajo Topullit, për të vijuar me ndërtimin e varrit të Çerçiz Topullit në vitin 1937. Në vitin 1958, nëpërmjet zbatimit të një projekti të veçantë, kjo kodër mori formën e një memoriali në nderim të veprës së rilindësve dhe patriotëve shqiptarë në shërbim të çështjes kombëtare. Krahas varreve të vëllezërve Topulli, në këtë kodër u vendosen edhe varret e Koto Hoxhit, A. Z. Çajupit dhe Pandeli Sotirit. Pas viteve ’90 Memoriali i Rilindësve nisi të dëmtohej. Duke parë gjendjen e rënduar të tij, përpara disa muajsh, rreth 100 të rinj gjirokastritë ndërmorën nismën për të restauruar memorialin me fondet e mbledhura prej tyre.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›