Bosnja pezullohet? Shqipëria më 1 prill bëhet pretendente
Data 1 prill rrezikon të shndërrohet në të vërtetën e madhe për Shqipërinë futbollistike. Fati mund ta sjellë situatën të atillë që në ditën e gënjeshtrave, kuqezinjtë të mësojnë ‘bëmën’ e radhës, çka mund të na hapte rrugën drejt Europianit 2012 që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Kuptohet, më parë duhen fituar ndeshjet tona e jo të presim dhurata nga qielli, por në këtë rast dhurata duhet shfrytëzuar në maksimum.
Mediat boshnjake prej ditësh po ngrenë zërin për mosmarrëveshjet që do të sillnin përjashtimin e menjëhershëm nga FIFA e UEFA për federatën e Bosnje-Hercegovinës. Në grupin D situata do të bëhej vërtet intersante, ku të gjitha ndeshjet kundër Bosnjës do të cilësohen 3-pikëshe për rivalët, çka do t’i jepte Shqipërisë dy pikë më shumë në renditje, pasi në ndeshjen e 8 tetorit, dy kombëtaret u ndanë me një barazim 1-1. Madje, edhe Luksemburgu do ta kapërcente Rumaninë në rendje, por skuadra trikolor nuk ka zhvilluar asnjë përballje me boshnjakët, që për ta do të ishin 6 pikë të sigurta. Por, nuk ka vetëm të fituar në këtë mes. Janë Franca e Bjellorusia ato që do të humbasin vërtet shumë, pasi nëse situata ndryshon, ato nuk lëvizin fare në grup, pasi e kanë fituar përballjen e parë me boshnjakët.
Por përse vjen kjo situatë më 1 prill? Bosnja nuk pranon rregullin numër 1 të statutit, atë që UEFA e cilëson si thelbësor, që do të thotë periudha 4-vjeçare e presidencës së federatës. Aktualisht, boshnjakët udhëheqin me rotacion çdo 18 muaj mes tre etnive bazë: myslimane, kroate e serbe. Por është pikërisht ky koncept udhëheqjeje të cilin UEFA nuk e toleron fare. Sekretari i përgjithshëm i qeverisë së futbollit europian, Xhani Infantino, deklaron prerazi mendimin e institucionit që përfaqëson rreth kësaj çështjeje: “Bosnje-Hercegovina do të pezullohet automatikisht më 1 prill nëse nuk ndodhin ndryshimet e nevojshme. E kemi toleruar për shumë kohë këtë situatë, tani është momenti për ndryshim”.
Në Bosnjë e kanë kuptuar rrezikun e madh që mund të sjellë ky pezullim, por përçarja etnike aty është aq e madhe, saqë viktimë mund të bjerë futbolli, pavarësisht se Shqipëria dhe skuadrat e tjera të grupit do të përfitonin. Më 29 mars, do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i federatës boshnjake për të diskutuar mbi këtë çështje thelbësore, por në Bosnjë janë të sigurt se nuk do të arrihet asgjë konkrete, pasi qëndrimet e përfaqësuesve të etnive janë krejtësisht të kundërta, për të mos thënë se ka edhe nga ata që kanë dalë hapur kërcënimit të UEFA-s.
Parë nga ky këndvështrim, sfida e së shtunës kundër Bjellorusisë bëhet një sfidë edhe më e nxehtë pasi mund të sillte vendin e dytë në renditje për Shqipërinë!
Klasifikimi aktual
Franca 4 9
Bjellorusia 4 8
Shqipëria 4 5
Bosnja 3 4
Rumania 3 2
Luksemburgu 4 1
Klasifikimi pa Bosnjën
Franca 4 9
Bjellorusia 4 8
Shqipëria 4 7
Luksemburgu 4 4
Rumania 3 2
Bosnja 3 0