E Martë, 3 Nëntor 2026

“Bashkim pas vendimit të Apelit”, surprizon nënkryetari i Bashës: Mbetem me PD, qoftë edhe me Berishën

Nuk ka ende një datë se kur Gjykata e Apelit do të shqyrtojë dhe do të marrë vendimin final se cila nga palët e përfaqëson PD-në, Sali Berisha apo Lulzim Basha, por nënkryetari i PD zyrtare, Kreshnik Çollaku, i bindur se e drejta është nga pala e tyre, ka dhënë një mesazh të rëndësishëm.

Sido që të jetë vendimi, ai duhet t’u imponojë palëve bashkim, të cilin Çollaku e sheh si sfidën kryesore.

“Do ta sugjeroj edhe në kryesi të partisë. Me zgjidhjen përfundimtare të legjitimitetit të përfaqësimit të PD, mendoj që duhet hapur një proces i ri i afrimit dhe bashkimit të PD. Nuk flas për elitën e partisë, por flas për nevojën akute që ka struktura jonë, baza demokrate, të ndarë në këtë pjesë dhe në atë pjesë, por të gjithë me shqetësimin se të ndarë ne shkojmë drejt një opozite të përjetshme”, tha zoti Çollaku për emisionin “Pa Censurë”.

Zoti Çollaku ftoi kolegët e palës tjetër të opozitës që të deklarojnë paraprakisht se do ta njohin vendimin e Gjykatës së Apelit, njësoj siç po bën pala e drejtuar nga Basha, duke shpjeguar edhe çfarë do të thotë njohje.

“Për ne, pranimi i tij do të thotë përfundimi i sagës së kundërshtimeve juridike.”- u shpreh zoti Çollaku, i cili, iu përgjigj drejtpërsëdrejti edhe pyetjes se çfarë do të bëjë ai, nëse Gjykata e Apelit njeh Sali Berishën si kryetarin legjitim të PD.

“Në rast se drejtohet nga Sali Berisha, unë do të jem një pakicë e PD që mendoj se drejtimi i PD qoftë edhe nga njeriu më i rëndësishëm i historisë së saj, Sali Berisha, në një marrëdhënie të sanksionimit non grata nga SHBA, dëmton thellësisht PD, dëmton shanset e saj për ardhjen në pushtet. Por, në rast se gjykata e njeh të tillë, unë do të jem tek pakica nën siglën e PD. Nuk kam asnjë plan të shkoj në asnjë subjekt tjetër politik, përveç PD-së.”- u shpreh Kreshnik Çollaku në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, duke bërë të qartë se marrëdhënia e PD-së me SHBA ësjtë një kusht i panegociueshëm për të pasur një parti që ka shanse për të marrë pushtetin.

 /rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›