Bashkimet e vështira të Europës së bashkuar
Nga Parisi ka folur përsëri presidenti, përsëri fjalë që sjellin optimizëm për ekonomitë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Sipas presidentit të Bankës Qëndrore Europiane, Mario Dragi dy janë fushat në të cilat qeveritë e ndryshme të Eurozonës duhet të dëshmojnë nëse janë vërtet në gjendje për të menaxhuar krizën. E para është politike dhe i përket katër “bashkimeve”. Bashkimit financiar i cili duhet të jetë në qendër të vëzhgimit bankar unik, për të vazhduar më pas me bashkimin e bilancit, atë ekonomik dhe në fund ai politik pa harruar gjithsesi madje duke u bazuar në “ndarjen e sovranitetit” mes shteteve. Nga ana tjetër sipas Super Marios, Banka Qëndrore Europiane është e “gatshme të ndërhyjë” në rast nevoje për të mbrojtur monedhën e përbashkët të Eurozonës euron. Natyrisht në situatën aktuale ekonomia europiane cilësohet si e brishtë dhe rritja e kompetivitetit në vendet anëtare të Bashkimit monetar është ndoshta faktori kyç për të siguruar stabilitetin e Eurozonës. Por presidenti kërkon më shumë edhe nga qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Një kërkesë e përsëritur kjo e presidentit Dragi tashmë prej disa muajve. Mario Dragi ka kërkuar përsëri aksionet konkrete të qeverive të vendeve anëtare sepse do të ishte ndoshta e pamjaftueshme vetëm vendosmëria e Bankës Qëndrore Europiane e cila nuk natyrisht që nuk mjafton për integrimin financiar, fiskal dhe atë politik. “Duhet të përshpejtojmë integrimin në nivel europian” - ka përsëritur Mario Dragi. Në të njëjtën kohë presidenti i Bankës Qëndrore Europiane ka kujtuar se duhen ndrequr edhe nivelet e ndryshme mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian sepse, nëse disa vende mund të qëndrojnë përjetësisht kreditorë të tjerët mund të mbeten debitorë. Sukseset e vendeve fqinje (të Greqisë dhe të Italisë) por edhe progreset e shënuara në Portugali dhe Spanjë, nëpërmjet reformave strukturore për të rritur kompetivitetin janë quajtur nga presidenti si shumë të rëndësishme. Në të vërtetë disa vende të Eurozonës (Greqia, Spanja, Portugalia dhe Italia) kanë bërë një progres me të vërtetë të rëndësishëm. Natyrisht aksionet e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian duhet të përqendrohen në politika që mund të jenë në gjendje për të rritur prodhimin, të nxisin investimet, të rrisin eksportet dhe mbi të gjitha të hapin vende të reja pune. Pikërisht kjo e fundit është e një rëndësie të veçantë për Europën. Kriza e borxhit sovran, masat shtrënguese, kriza europiane dhe ajo globale në tërësi janë faktorë që kanë sjellë shifra të paimagjinueshme papunësie për Europën. Sipas Eurostat-it më shumë se dy milionë vende pune janë mbyllur në Europë në vetëm një vit. Shifra që frikësojnë sepse tashmë të papunët arrijnë në afro 19 milionë në 17 vendet e eurozonës. Të gjitha këto sipas të dhënave të Eurostat që ka analizuar firmat e ndryshme europiane. Edhe firmat e mëdha si Siemens kanë deklaruar shkurtime punonjësish që arrijnë në 1.900 për këtë vit. Grupe sigurimesh që kanë pushuar afro 850 persona ndërsa Iberia ka lajmëruar se nuk mund të vazhdojnë më punën rreth 4.500 persona. Natyrisht reduktimi i shpenzimeve publike, rritja e taksave sulmojnë bilancet e firmave që pushojnë punëtorët nga puna duke reduktuar edhe investimet e tyre. Që prej vitit 1995, kohë kur Eurostat ka filluar të japë dhe të përpunojë të dhënat, shifrat e papunësisë nuk kanë qenë kaq të larta për vendet e eurozonës. Natyrisht nga të gjithë vendet e eurozonës ajo që është në kushte më të vështira aktualisht është Spanja e cila po arrin në shifra të frikshme 26,2%, ndërsa në vendin fqinj të Greqisë ka kaluar 25%, në Portugali në 16,3%, ndërsa vende si Austria me 4,3%, Gjermania 5,4%. Një javë më parë Renault ka deklaruar se do të rrisë prodhimin në Spanjë dhe do të punësojë 1.300 persona edhe pse është deklaruar se do të ketë një reduktim page sidomos për të rinjtë. Në këtë mënyrë po shkohet drejt reduktimit të pagave në tërësi duke nxitur në këtë mënyrë fenomenin e emigrimit. Natyrisht me numra të papërfillshëm por gjithsesi me tendencë në rritje. Në muajt e parë të vitit shumë persona kanë emigruar drejt Gjermanisë. Ndërkaq Qeveri të ndryshme kanë kërkuar ndryshime strukturore. Dhe janë përpjekur që të shpëtojnë disa zëra të veçantë si shëndetësinë, kulturën dhe arsimin. Natyrisht është parësore që ekonomitë mos t ë jenë të mbyllura. Ndoshta edhe ndihma e vetë Europës duhet të jetë më e madhe. Duhet vazhduar me integrimin ekonomik sidomos në sektorët energjetikë, duhet gjithashtu një integrim më i madh në investimet publike që mbështesin punësimin e të rinjve sepse pikërisht aty fillon e ardhmja.