E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi Evropian, pakt për krizën greke

Mosmarrëveshjet duken se po shuhen brenda eurogrupit e përsa i përket ndihmës për krizën greke duket se ka një zgjidhje. Nga Brukseli mbërrijnë në fakt zëra mbi disponibilitetin e Berlinit për një zgjidhje mikse që do të fuste në lojë si Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe vendet e eurozonës. Në rast se shteti kërcënohet nga falimentimi, Greqia duhet të marrë ndihma financiare nga FMN, mbështetur nga ndihmat vullnetare të vendeve të vecanta të BE-së, thuhet në një njoftim që i referohet qarqeve qeveritare në Berlin dhe diplomatëve të BE-së.

Përfshirjen e FMN-së e kishte ofruar kancelarja gjermane Angela Merkel, në bisedimet e ditëve të kaluara. Tani edhe presidenti i Francës, Sarkozy, është për këtë zgjidhje. Shtetet e eurozonës mund të marrin një vendim ditën e enjte, në një takim para samitit të të gjitha vendeve të BE-së. Takimi i liderëve është mbështetur si nga presidenti francez ashtu dhe ai spanjoll, Zapatero, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE-së. Ndërkohë, në Greqi vazhdojnë protestat kundër masave të qeverisë që synojnë të ulin deficitin alarmant. Mbështetja europiane në këtë pikë shihet si e domosdoshme në mënyrë që të sigurojë tregjet ndërkombëtare e të evitojë që Athina të paguajë interesa tejet të larta për 50 miliardë euro kredi që i duhen vetëm këtë vit.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›