E Enjte, 5 Nëntor 2026

Basketboll Meshkuj/Vllaznia shtang Goga Basket në shtëpi

Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj ka luajtur të shtunën të 3 takimet e javës së tij të 14-të, që është edhe java e fundit e sezonit të rregullt. Dhe e papritura më e madhe ka ardhur nga Arena Sportive “Dhimitraq Goga” në Durrës, aty ku Vllaznia ka shtangur skuadrën vendase, Goga Basket, duke i shkaktuar edhe humbjen e parë pas 13 fitoresh radhazi këtë sezon.

Shkodranët kanë kryesuar gjatë gjithë ndeshjes së sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke e fituar atë me rezultatin bindës, 93-76. Vllaznia, e cila vinte pas një humbjeje të papritur në fushën e vet përballë Partizanit, e ka bërë të ditur synimin e saj që në 10-minutëshin e parë, duke e fituar atë 26-18.

Dhe, ndonëse Goga Basket e fiton 10-minutëshin e dytë 20-15, janë miqtë që shkojnë në pushimin e madh midis dy gjysmave duke kryesuar me shifrat 41-38. Por Vllaznia do të rikthehet fuqishëm në dy 10-minutëshat e dytë, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren e saj. Ekipi shkodran e fiton 10-minutëshin e 3-të, 27-17, duke e thelluar në 66-55 epërsinë pas një gjysmë ore lojë dhe vijon ta thellojë edhe më tepër këtë epërsi në 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit, të cilin e fiton 27-21 dhe gjithë ndeshjen 93-76.

Pavarsisht kësaj humbjeje, Goga Basket ruan kreun e renditjes në kuotën e 27 pikëve, dy më tepër se Teuta, që ka mundur të shtunën në fushën e vet Tiranën, me rezultatin 116-98, ndërsa Partizani mundi Barleti-Eagles 90-65.

Java e fundit ofron dy dueli derbi, atë të kreut midis Goga Basket dhe Teutës, dhe atë të kryeqytet midis Tiranës dhe Partizanit, por që do të luhen për prestigj, sepse nuk ndryshon asgjë në renditje. Kjo sepse janë përcaktuar 4 skuadrat që do të vijojnë më tej betejën në fazën e “play-off”-it për titull, pasi në gjysmëfinale, Tirana do të sfidojë Goga Basketin, ndërsa Teuta do të ndeshet me Vllazninë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›