Basketbolli plotëson katërshet e Play-Off-it

E mërkura është ditë derbesh në Superligën për meshkuj. Goga Basket do të presë Teutën në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, kurse Tirana, në sallën e saj “Farie Hoti”, do të presë Partizanin. Mirëpo, parë dhe renditjen aktuale, atëherë duket se këto derbe nuk vendosin më fatet e sezonin. Sepse Goga Basket, Teuta, Vllaznia dhe Tirana tanimë i kanë sigluar katër vendet e para të Play-off për titull kampion.
Madje në gjysmëfinale duket se do të përplasen Goga Basket – Tirana dhe Teuta – Vllaznia. Partizani edhe sikur të fitojë të mërkurën ndaj bardhebluve të Erkand Karajit është në Play-out, ndërsa do të jetë përballë Dinamos, e cila është renditur në vendin e dytë në Kategorinë e Parë, ndërsa Kamza Basket ka ardhur në Superligë duke zbritur Barleti-Eagles një kategori më poshtë.
Për femra tanimë është zyrtarizuar katërshja e Play-off për titull kampion, ndërsa në gjysmëfinale përballë njëra-tjetrës do të jenë Flamurtari – Studenti dhe Partizani – Tirana. Në këtë mënyrë, basketbolli shqiptar është në prag të fazës së saj më të nxehtë, që është sulmi final për titull kampion.