E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baze: Topi mos dekretojë Mediun e Bashën

Dy ministrat e kabinetit të ri qeveritar, Mediu dhe Basha nuk duhet të dekretohen nga Presidenti i Republikës. I ftuar në Ora News, Mero Baze, ka theksuar se Topi nuk duhet të vazhdojë me abstenimet në debatet politike, dhe të ushtrojë të drejtën e tij për mosdekretim të dy ministrave. " Topi heshti deri në fund për zhvillimet politike. Topi ka misionin e tij më të madh këtë javë. Ai nuk duhet të dekretojë Fatmir Mediun dhe Lulzim Bashën, është në të drejtën e tij", tha Baze.
Duke komentuar emrat e ministrave të Partisë Demokratike në kabinetin e ri qeveritar, ai tha se Berisha ka ruajtur të njëjtat ekuilibra më të cilat ka ndërtuar kabinetin e parë. Sipas tij kryeministri Berisha ka thelluar linjën e besnikërisë politike në kabinet. "Siç është rasti i Rulit dhe Pollos", saktësoi ai.
Si emrin surprizë të ministrave të PD-së, analisti vlerësoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, të cilin e konsideroi zgjedhje të mirë. Sipas Mero Bazes Jemin Gjana duhet të ishte pjesë e kabinetit pasi ka qenë serioz në punën e tij. "Mendoj se është emri i vetëm i sakrifikuar nga PD-ja", tha analisti.
Baze tha se kabineti qeveritar "Berisha 2" ka sfidë reale, sërish drejësinë. "Kabineti i ri ka dy ministra në kërkim, Bashën dhe Mediun, ndaj sfidë të saj do ketë drejtësinë. Faktin që Berisha ka çuar në këtë post Nishanin do të thotë se ministër real i Drejtësisë do jetë vetë kryeministri", pohoi ai. Sipas botuesit të gazetës "Tema", mbijetesa e koalicionit të ri qeveritar PD-LSI do varet nga raportet parlamentare, dhe vendimet politike qe do marrë LSI. Qeveria e re , sipas analistit rrezikon të ardhmen e shtetit juridik në vend.
Mero Baze tha se përpjekja për të mos lexuar drejt gjestin politik të PS-së për mospjesëmarrje në Parlament nga ana e PD-së, është fenomen negativ për politikën.
Botuesi i gazetës "Tema" tha se Partia Socialiste është në krizë, për shkak se ka humbur zgjedhjet. "Tashmë Rama ka filluar të forcojë zërin, ka filluar të bëjë një opozitë ndryshe nga ajo që bëri para zgjedhjeve. Partia Socialiste po përjeton krizën e humbjes, dhe po përpiqet të gjejë rrugë të tjera për të dalë prej saj",shtoi ai.

Sipas tij, nuk ka problem te fakti që Rama është në krye të PS-së. "Problemi i Ramës do jetë ndryshimi i opozitës, që duhet t'i përgjigjet frymës politike të Berishës, zgjerimi i koalicionit të tij opozitar. Nuk shoh skeptike bashkëpunimin e tij me parti të qendrës së djathtë", përfundoi fjalën e tij në Ora News, analisti Mero Baze.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›