Beçaj: Sdo të jem më kryetare, anëtarët të votohen me 3/5-at
Drafti
Shoqatat e gjyqtarëve kritikojnë draftin e qeverisë
Kryetarja Beçaj kërkoi që anëtarët e gjykatës të votohen me një shumicë të cilësuar votash
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, doli kundër draftit të qeverisë, duke kërkuar që anëtarët e institucionit të saj të zgjidhen me një shumicë të cilësuar votash. Në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve për draftin Për Gjykatën e Lartë, Beçaj u shpreh se zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe asaj Kushtetuese, me votë të cilësuar, për mua është shumë e rëndësishme. Nëse do të ndërhyhet në Kushtetutë, duhet parë problematika e qëndrueshmërisë në detyrë, apo mënyra se si zgjidhet problematika e karrierës së gjyqtarëve të lartë. Ajo kontestoi dhe qëndrimin e ministrit Halimi për çështjen e pagave. Unë nuk kam kërkuar rritje pagash për vete, pasi unë jam në mbarim të mandatit dhe se nuk do jem më as anëtare e Gjykatës së Lartë. Për katër vjet rresht, numri i vakancave ka qenë i pamenaxhueshëm, duke bërë një studim dhe një përllogaritje të çështjeve të cilat duhet të ishin gjykuar, sikur këto vende të ishin plotësuar, ne sot do të kishim 3 mijë çështje më pak. Duhet të kemi gjykatës, të cilët e meritojnë këtë detyrë, e cila nuk mund ti shërbejë vetëm një force që mund të ketë dhënë verdiktin për të zgjedhur, tha Beçaj. Po dje, kanë dhënë opinionet e tyre për projektligjin e Konferencës Gjyqësore, kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Berberi, dhe kryetari i Unionit të Gjyqtarëve, Ervin Metalla. Berberi ka theksuar se disa nga nenet e draftit duhen rishikuar, pasi bien ndesh me disa ligje, ndërsa Metalla ka kërkuar rritje të pagave dhe ka mbështetur projektligjin. B.H
Beçaj: Sdo të jem më kryetare, anëtarët të votohen me 3/5-at burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip