E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Beci: Korsi e re biçikletash në Shkodër nga Ura e Maxharrit, tek sheshi “Parrucë”

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/  Nga sheshi Ura e Maxharrit (Rus) tek sheshi Parrucë ka nisur sot procesi i fundit, ai i vendosjes së sinjalistikës në korsinë më të re të biçikletave në qytetin e Shkodrës.

Kjo korsi e gjatë 1.3 km me gjerësi që lejon lëvizjen e biçikletave në të dy kahet, është ndër segmentet më të rëndësishëm për të kompletuar rrjetin primar të korsive të biçikletave brenda qytetit.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjetet sociale momente nga puna për vendosjen e sinjalistikës nga ekipet e bashkisë.

“Sot, çdokush mund të përshkojë me biçikletë aksin veri – jug të qytetit nga Rusi deri në urën e Bunës dhe anasjelltas i qetë dhe i sigurt në korsinë e vet. Do të vazhdojmë punën me korsitë e biçikletave për të bërë një rrjet model, i cili do t’i lejojë banorët të zgjedhin me dëshirë biçikletën si mjetin më të kollajtë, të përshtatshëm, të pastër e të shëndetshëm për lëvizje brenda qytetit në përputhje me traditën më të mirë të Shkodrës”, theksoi Beci.

Kjo ndërhyrje është bazuar në planin e mobilitetit të hartuar nga ekspertë të huaj në bashkëpunim me specialistë të Bashkisë Shkodër që ka në themel rritjen e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe shmangien e trafikut.

1 nga 6

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›