Beci: Nga shtatë vatrat zjarri, aktive vetëm një në Bardhaj, s’ka rrezik për banesat

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci deklaroi sonte se situata e zjarreve në territorin e Bashkisë Shkodër është e qetë dhe nën kontroll.
Beci bën me dije se “nga shtatë vatrat aktive të evidentuara gjatë ditës, vetëm një vijon të mbetet aktive në Bardhaj, mbi rezervuar. Kjo vatër nuk paraqet rrezik për banesat”.
Gjatë pasdites u shfaqën vatra zjarri edhe në Oblikë dhe Muriqan, të cilat, falë ndërhyrjes së menjëhershme të strukturave të Bashkisë, u menaxhuan dhe u shuan plotësisht.
Po ashtu, është shuar plotësisht edhe vatra në Bërdicë.
“Ekipet tona do të qëndrojnë në gatishmëri dhe do ta monitorojnë situatën gjatë gjithë natës, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm dhe për të ndërhyrë menjëherë nëse do të jetë e nevojshme”, njoftoi Beci.