Kosova edhe formalisht pjesë e forcës ndërkombëtare për Gazën

PRISHTINË, 7 shtator/ATSH/ Kosova e ka nënshkruar të hënën një marrëveshje formale për t’iu bashkuar listës së shkurtër të shteteve që janë zotuar të jenë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Gazë, sipas një postimi në rrjetet sociale të Bordit të Paqes, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
“Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës, Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, nënshkruan Marrëveshjen për Shtetet Pjesëmarrëse, për përfshirjen e Kosovës në ISF”, thuhet në postim.
Marrëveshja, e nënshkruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe komandanti amerikan i ISF-së, gjeneralmajor Jasper Jeffers, formalizon përfshirjen e Kosovës në forcën e planifikuar.
“Ky zhvillim i rëndësishëm nënvizon përkushtimin e Kosovës ndaj misionit të ISF-së dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për planin 20-pikësh për Paqe të presidentit [Donald] Trump”, thuhet në deklaratën e Bordit të Paqes.
Kosova ishte ndër vendet e para që u zotua për të dërguar trupa në kuadër të këtij misioni në Gazë dhe në fillim të vitit, dërgimi i FSK-së u miratua nga Kuvendi dhe u autorizua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.