E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Beci: Pastrohet pas 30 vitesh kolektori kryesor i Shkodrës në zonën e Perashit

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Prej disa ditësh në Shkodër ka nisur puna për pastrimin e kolektorit kryesor të qytetit të Shkodrës, në zonën e Perashit.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka inspektuar nga afër punimet për pastrimin e këtij kolektori.

“Kolektori prej 30 vitesh nuk është pastruar dhe ka qenë i bllokuar nga ndërtimet pa leje. Vazhdojmë intensivisht të punojmë dhe po bashkëpunojmë shumë mirë edhe me banorët, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për mirëkuptimin e tyre, sepse sigurisht ne jemi duke punuar pranë shtëpive të tyre dhe po ecim shumë mirë”, theksoi Beci.

Kryebashkiaku Beci tha se “për Shkodrën do të vijojmë të ndërmarrim të tilla ndërhyrje, që zgjidhin problematika të mbartura e që kërkojnë angazhimin tonë. Shkodra nuk ka të ndaluar në këtë zhvillim që ka marrë”.

Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike e bashkisë Shkodër në bashkëpunim me Ujësjellës Kanalizime prej disa ditësh po punojmë për pastrimin e kolektorit, i cili rrezikonte qytetin sa herë kishte reshje intensive shiu.

Bashkia e Shkodrës ka ngritur një grup të përbashkët pune, për evidentimin e të gjithë ndërtimeve, avlli apo gardhe të cilat bllokojnë sistemin e kullimit të qytetit në kolektorë dhe do të vijojë për pastrimin e plotë të tyre.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›