E Enjte, 5 Nëntor 2026

Beci: Qeveria, 11 milionë euro për dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës tek Harku i Bërdicës

TIRANË, 4 tetor /ATSH/ Në vijim të rikonceptimit të plotë të hyrjes së Shkodrës, qeveria shqiptare ka akorduar në buxhetin e rishikuar të këtij viti rreth 11 milionë Euro për dublimin e Urës së Bahçallëkut dhe zgjerimin e rrugës nga Ura e Bahçallëkut tek Harku i Bërdicës.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur sot se, ky investim do të japë një kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e trafikut ne hyrje e dalje të Shkodrës gjatë sezonit veror, lidhjen më të shpejtë me Tiranën, Velipojën, Shirokën, Muriqanin dhe Ulqinin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur sot garën për ndërtimin e urës dhe segmentit rrugor, theksoi Beci.

“Fillimi i vitit tjetër na gjen në punë për këtë projekt të rëndësishëm për qytetin dhe gjthë rajonin”, theksoi Beci.

Kryebashkiaku i Shkodrës falënderoi për bashkëpunimin Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Zv/kryeministren Belinda Balluku për reagimin shumë të shpejtë për buxhetimin dhe fillimin e procedurave.

“Ky është një tjetër premtim që po fillon realizimin brenda një viti po ashtu si parku i hyrjes, rruga e Dukagjinit, asfaltimet e rrugëve në qytet e fshatra dhe një sërë projektesh të tjera që janë zbatuar apo fillojnë së shpejti”, theksoi Beci.

Ai nënvizoi se, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare këto dy vite po  investohen mbi 50 milionë Euro në territorin e bashkisë së Shkodrës për një transformim të pashembullt, i cili arrihet vetëm me punë.

“Ditë shumë të mira po vijnë për Shkodrën, shumë shpejt këtë model do ta replikojmë në të gjitha bashkitë e qarkut tonë”, theksoi ai.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›