E Diel, 1 Nëntor 2026

Beci: Respektoni pezullimin e punimeve gjatë sezonit turistik, masa ndaj shkelësve

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Bashkia e Shkodrës ka paralajmëruar zero tolerancë ndaj subjekteve që vijojnë punimet e ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat ku ato janë të pezulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka bërë të ditur se gjatë monitorimeve në terren janë konstatuar raste të vijimit të punimeve të ndërtimit në zona ku është pezulluar ndërtimi.

Beci ka rikthyer në vëmendje hartat e zonave ku zbatohet pezullimi, duke u bërë thirrje subjekteve ndërtuese të respektojnë detyrimin ligjor.

“Pezullimi i punimeve gjatë sezonit turistik është i detyrueshëm. Zero tolerancë ndaj shkeljeve”, thekson Beci.

Sipas njoftimit, pezullimi përfshin qendrën historike dhe urbane të Shkodrës, aksin Shirokë-Zogaj, zonat Velipojë-Rrjoll, si dhe zonën Theth-Ndërlysë, në përputhje me përcaktimet dhe hartat përkatëse.

Strukturat përgjegjëse do të vijojnë kontrollet në terren, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë pezullimin dhe vijojnë punimet do të merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Bashkia Shkodër vlerëson se respektimi i rregullave gjatë sezonit turistik është i rëndësishëm për mbarëvajtjen e sezonit dhe për qytetin, banorët, bizneset dhe turistët që kanë zgjedhur Shkodrën si destinacion pushimesh.

Në një sezon të karakterizuar nga fluks i lartë turistësh dhe vizitorësh, autoritetet vendore theksojnë se kontrolli dhe zbatimi i masave për pezullimin e punimeve synon të garantojë një mjedis më të përshtatshëm për banorët dhe turistët gjatë sezonit veror.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›