Bedri Hamza në garë për kreun e PDK-së – Kandidati i parë që shpall kandidaturën nga ajo parti

“Me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, shpalli kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës”.
Ky ishte njoftimi i bërë nga Bedri Hamza, duke bërë të ditur se do të jetë pjesë e garës më 17 nëntor kur të mblidhet konventa e përgjithshme e kësaj partie. Ai është zyrtari i parë nga PDK që e ka shpallur kandidaturën për të drejtuar partinë, pas dorëheqjes së Memli Karasniqit.
Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, tha se beson se partia, ku bën pjesë e ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si forca kryesore në vend.
“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, – theksoi ai.
Bedi Hamza më parë ka qenë ministër i Financave dhe Ekonomisë, deputet në legjislaturat paraprake të Kuvendit të Kosovës si dhe guvernator i Bankës Qendrore.
Krasniqi njoftoi dorëheqjen si kryetar i PDK-së të mërkurën, duke thënë se ka ardhur koha që partisë t’i jepet një frymë e dhe një mundësi të re për të ardhmen. Ai u shpreh se Hamza do të kishte mbështetjen e tij të plotë, nëse kandidonte për ta pasuar atë në post.
Gazetare: Vjollca Zhari
/rtsh.al/