E Hënë, 2 Nëntor 2026

Begaj vizitë zyrtare në Austri: Interesat strategjike të reflektohen në veprime konkrete

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Austri, ku u prit me nderime të larta nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen. Gjatë takimit të zhvilluar mes dy liderëve, u theksua miqësia tradicionale dhe partneriteti i fortë mes dy vendeve, si dhe angazhimi i përbashkët për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Presidenti Begaj falënderoi Austrinë për mbështetje të vazhdueshme në fusha të ndryshme, përfshirë ekonomi, arsim, turizëm, dhe reformën në drejtësi. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian dhe është optimiste për hapjen e kapitujve të negociatave brenda vitit, me objektiv anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

“Marrëdhëniet tona përbëjnë një partneritet që forcohet dita ditës. Ne duhet të mundësojmë që këto interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një të ardhme të një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt, paqësor dhe të integruar në BE, dhe një rajon larg ndikimit të aktorëve të tretë. Pavarësisht se anëtarësimi do të marrë kohën e vet, për ne më shumë rëndësi ka procesi, i cili transformon shoqërinë, transformon mirëqeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët tanë”, tha Begaj në konferencën e përbashkët për shtyp.

Gjithashtu, u diskutua edhe çështja e Kosovës, për të cilën Presidenti Begaj falënderoi Austrinë për kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e shtetit të ri të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të Austrisë për njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vizita theksoi edhe lidershipin austriak për forcimin e angazhimit të BE-së në rajon, duke krijuar mundësi për stabilitet dhe zvogëlimin e rreziqeve gjeopolitike nga influencat e jashtme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›