Kikia: Rama shpiku Bufin dhe gallatën me Lulin. Nuk konkurrohet dot aty

Vendi ndodhet para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, por edhe pse nuk ka nisur ende zyrtarisht fushata elektorale, partitë politike kanë filluar me përpjekjet për të bindur qytetarët që t’i japin votën.
Teksa analizoi qasjet e tyre, analisti Mentor Kikia, tha se fushata e Partisë Socialiste është kryesisht folklorike, sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara, teksa përmendi metaforat e përdorura nga kryeministri Edi Rama ndaj kundërshtarëve politikë apo replikat me nota humori në distancë me Lulzim Bashën.
Për Kikën, opozita nuk mund ta konkurrojë maxhorancën në atë që e konsideron si “habitatin e saj”, por duhet të synojë elektoratin “që nuk qeshin me telenovelën Rama-Basha dhe me historinë e bufit”.
“Maxhoranca nuk preferon të përballet me qytetarin për të dhënë llogari dhe ky është hendikapi i shoqërisë tonë. Në zgjedhjet vendore të kaluara , por edhe të përgjithshme të 2021, Rama ideoji një fushatë folklorike, për të mos u përballur me qytetarin, Rama shpiku atë ‘tallavanë’, që u materializua më shumë në zgjedhjet vendore ku në çdo tubim me qytetarët nuk kishte as ballafaqim, as program, por vetëm valle. Dukjet janë që edhe në këto zgjedhjet, fushata e PS të jetë sërish folklorike.
Rama ka shpikur bufin, ka nisur serialin ço Lul nga gjumi dhe e ka shndërruar në një lloj gallate si dy tiktoker që kanë zbuluar dashurinë për njëri-tjetrin. Normalist nuk është lajthitje, është një qasje e studiuar në raport me publikun dhe ka 10 ditë media dhe të gjithë njerëzit që bëjnë gallatë me Ramën dhe me Lulin. Kjo është një gjetje. Opozita në këtë rast duhet të bëjë një gjë tjetër, këtë elektorat që nuk qeshin me telenovelën Rama-Basha, nuk do qeshin me historinë e bufit apo këngës që do mund të hedhë në treg së shpejti si kolonë zanore të fushatës, por nuk duhet të luftojnë me të njëjtat armë. Ky është habitati i Ramës, nuk konkurrohet Rama. Ai ja ka gjetur kokën një pjese votuesish dhe e ka mbyllur atë histori”, u shpreh Kikia.
/rtsh.al/