Behgjet Pacolli: Bashkim ekonomik për shqiptarët

Behgjet Pacolli gjatë fjalës së mbajtur në forumin akademik-politik "Për hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit"
Shqipëria e Madhe nuk krijohet duke bashkuar administratat, por duke hequr barrierat eko-nomike, që do të na çojnë drejt një tregu të përbashkët dhe më konkurrues.Ky ka qenë mesazhi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, nën patronazhin e të cilit u zhvillua edhe forumi akademik-politik “Për hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit”, një nismë kjo e promovuar në UET. Gjatë fjalës së tij, ish-presidenti Pacolli theksoi se kjo nismë e ndërmarrë prej tij nuk është një fasadë e konvertimit të tij politik në nacionalistin e orës së fundit, por rezultat i eksperiencës jetësore në biznesin ndërkombëtar që ka dhënë efektin e saj mbi idenë që tashmë ka marrë krahë. “Duhet një bashkim ekonomik për të qenë më konkurrues. Ne duhet të punojmë për mirëqenien e kombit, dhe kjo nuk është kundër asaj që institucionet europiane sugjerojnë. Përkundrazi, janë këto institucione që na nxisin të punojmë së bashku. Është një kusht që duhet ta përmbushim për integrimin drejt BE-së”, tha Pacolli.
Prioritetet për bashkëpunim
Në spektrin ekonomik, zëvendëskryeministri i Kosovës u ndal në një sërë çështjesh të rëndësishme që duhet të përbëjnë prioritet. Ai vlerësoi se në raportin import-eksport, si Kosova, ashtu dhe Shqipëria, më shumë importojnë sesa eksportojnë, ndërkaq, një e metë tjetër e të dyja vendeve është që vijohet me modele të paqarta ekonomike, të cilat nuk arrijnë që të ndajnë prioritetet dhe, më e keqja, që nuk po mësojmë nga kriza dhe as nga gabimet e të tjerëve. Shqipëria dhe Kosova duhet të përqendrohen te pikat e tyre të forta dhe me rëndësi strategjike për ekonomitë e secilës. Në rastin e Shqipërisë, një pikë e tillë është Porti i Durrësit, i cili për Pacollin mund të kthehet në një port me rëndësi rajonale, kurse lidhur me Kosovën, ai iu referua krijimit të zonave të lira ekonomike në Gjakovë apo privatizimeve të mirëmenduara, të cilat mund të sjellin përfitime për të dyja shtetet. “Fjala kyçe është heqja e barrierave doganore, shfrytëzimi i gjithë kapaciteteve njerëzore, pasurive natyrore, duke krijuar një treg të përbashkët kombëtar”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës. Kjo, sipas tij, mund të arrihet me një bashkëpunim të mirë mes vendeve, por edhe mes aktorëve sektor privat dhe atij publik. Ai kujtoi edhe faktin që një nga sfidat që ka sot Kosova është ai që lidhet me privatizimet. “Nga ky forum po i bëj thirrje klasës politike, institucioneve në Kosovë dhe në Shqipëri që në menaxhimin e aseteve që kanë mbetur pa u privatizuar të përdoret me efektivitet kjo formulë participimesh në biznese të përbashkëta. Kjo mundëson që investitori të ndihet i sigurt, t’i ndihmohet atij në krijimin e biznesit, të ndikohet pozitivisht në mirëqenie dhe punësim. Kështu, Kosovës do t’i mundësohet që paratë e privatizimit të mbesin në qarkullim në ekonominë e vendit, dhe jo të ngurtësohen jashtë tij”, tha Pacolli. Lidhur me këtë ai vlerësoi se shitja e shpejtë e aseteve sjell vetëm pak para për momentin dhe asgjë më shumë, kurse gjetja e mënyrave efektive për t’i rritur vlerën këtyre aseteve mund të kthehej në burim të madh të ardhurash dhe në këtë pikë mori si referencë Trepçën. “Në vend që Trepça e Kosovës të shitet për dhjetëra milionë për shkak të pamundësisë së buxhetit të vogël për ta funksionalizuar, ne do të ndërrojmë adresën e kompanisë menaxhuese, duke e transferuar atë në qendrat më të rëndësishme financiare botërore. Atje ajo do të vendoset në kontakt me publikun. Vlera e saj e shitjes nga dhjetëra milionët aktualë, do të jetë miliardësh. Bëj apel që kjo mënyrë privatizimi apo trajtimi duhet të përdoret urgjentisht dhe në Shqipëri për ato minerale që janë të dobishme jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë botën”, tha Pacolli. Një tjetër ide e hedhur prej zëvendëskryeministrit është ajo e ngritjes së një tregu të përbashkët në sektorin e energjisë, e cila do t’i shërbejë të dyja vendeve, si Shqipërisë, edhe Kosovës.
Biznes pa barriera
Nismën për heqjen e barrierave doganore të lakuar nga Pacolli e ka përkrahur në fjalën e tij edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, i cili, gjatë fjalës së tij u shpreh se qeveritë e të dyja vendeve duhet të heqin barrierat doganore. Sipas Jakës, kjo do të ndikonte direkt në volumin e shkëmbimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili aktualisht nuk është më i lartë se 60 milionë euro në vit, një vlerë kjo shumë e ulët. Heqja e referencave, sipas kreut të Dhomës, do të ndikonte direkt në rritjen e shkëmbimeve. Gjatë forumit të djeshëm mbajti një fjalë edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, i cili u ndal te njohja ndërkombëtare e Kosovës si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në unifikimin e shqiptarëve të Ballkanit. “Një çështje e parë me peshë themelore në kuadrin e bashkëpunimit, pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj, është njohja e mëtejshme e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në të gjitha organizatat e vendeve sovrane, jo vetëm në OKB, NATO e BE, por edhe në struktura të tjera si OSBE, KiE”, u shpreh Meidani. Forumi pati të ftuar akademikë e intelektualë të njohur dhe në fund u mbyll me shpalljen e Lëvizjes për Hapësirën Mbarëkombëtare të Zhvillimit, thënë ndryshe “Nisma Pacolli”. Lëvizja do të ketë Bordin e tij të Besimit, i përbërë nga tre ish-presidentët: Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, Behgjet Pacolli, intelektuali i shquar Arbën Xhaferi, dy autoritetet akademike, profesor Faik Brestovci, rektor i universitetit “Fama”: në Prishtinë dhe Teuta Dobi, presidente e Universitetit Europian të Tiranës. Bordi zgjodhi në krye zotin Behgjet Pacolli.
Forumi i UET
Forumi i djeshëm erdhi si bashkëpunim mes Universitetit Europian të Tiranës dhe atij “Fama” të Prishtinës. Ky forum, pjesë e “Nismës Pacolli”, mbledh rreth vetes akademikë, intelektualë, institucione dhe autoritete nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, dhe ka në fokus zhvillimin mbarëkombëtar ekonomik. Kjo lëvizje, që vjen nën emrin “Për hapësirën mbarëkombëtare të zhvillimit”, do t’u ofrojë dokumente programatike e studimore, qeverive përkatëse për të ecur në këtë rrugë. Lëvizja do të krijojë një Institut Kërkimor pranë UET. Forumi për krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike Shqipëri-Kosovë do të mblidhet sërish në vjeshtë në Kosovë.
Xhaferi: Nisma të korrigjojë të kaluarën
Akademiku Arbën Xhaferi, pavarësisht se nuk ishte i pranishëm në forumin e djeshëm, e përshëndeti atë përmes fjalës së dërguar. Në këtë fjalë ai theksonte rëndësinë që ka bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe seriozitetit me të cilin duhet të merret kjo nismë, duke u konkretizuar në një institucion me emërtimin “Mirëqenie shqiptare”. Sipas Xhaferit, kjo nismë duhet të korrigjojë gabimet e së shkuarës dhe të krijojë kompatibilitet ekonomik, politik, kulturor ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë. “Hapi i parë duhet të jetë miratimi i deklaratës për themelimin e asociacionit për “Mirëqenie shqiptare”. Kjo deklaratë duhet të përkufizojë qëllimet parësore të këtij projekti. Ky program duhet të ndahet në tri kategori: 1- konteksti shqiptar; 2- konteksti rajonal dhe 3- konteksti ndërkombëtar”, thekson Xhaferi në fjalën e tij. Ndërkaq ai propozon që selia e këtij organizmi të jetë në Kosovë dhe në krye të saj të ketë një figurë që përfaqëson unitetin kombëtar. Ky institucion propozohet që të mbajë dy mbledhje plenare në vit.
NERTILA MAHO