Beja: Dekretet e Topit për Gjykatën, brenda javës
Tiranë- Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja ka thënë sot se 6 dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë do shqyrtohen gjatë kësaj jave.
“Sot, sipas afatit, presim nga institucionet të dhënat për veprimtarinë e kandidatëve të dekretuar nga Presidenti dhe mbi bazën e tyre ne do të fillojmë shqyrtimin”- tha sot Beja gjatë një prononcimi për mediat.
Sipas tij, çdo kandidat i dekretuar nga Presidenti duhet të plotësojë kushtet ligjore dhe më pas të votohet nga Kuvendi. Ai ka theksuar më tej se “është e qartë që emri i dekretuar duhet të marrë votën e Kuvendit, pasi ndryshe mbetet kandidat''.
Pas rrëzimit të dekreteve fillestare gjatë votimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 8 korrik, Presidenti i Republikës shpalli kandidaturat e Andi Çelikut, Arjana Fullanit, Guxim Zenelajt, Majlinda Andreas, Evelina Qirjakos dhe Aleksandër Muskajt, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
Zgjedhja e këtyre emrave erdhi pas një procesi transparence dhe konsultimi të gjerë konstitucional me një grup pune të ngritur për këtë qëllim, i cili ofroi ekspertizë ligjore në përzgjedhjen e emrave. Paraprakisht u pranuan 150 kandidatura, të cilat u morën në shqyrtim.
Para kësaj, kreu i shtetit iu drejtua partive politike në mënyrë zyrtare për dërgimin e kritereve që duhet të plotësonin kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë, e më pas grupi i punës duke marrë në konsideratë propozimet përcaktoi edhe standardet.