E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni: Emigrantët nuk do të votojnë

Emigrantët nuk mund të votojnë megjithëse përbëjnë një kontingjent të madh votuesish. Komisioni për reformën zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën e bërë nga partia G99, për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime. Fatmir Xhafa, bashkëkryetar në komision tha se vota e emigrantëve është e pamundur në kushtet e Shqipërisë. Komisioni aktualisht po diskuton lidhur me projektin e socialistëve për reformën zgjedhore. Pas diskutimeve të shumta është vendosur të jenë dy periudha të vitit për zgjedhjet. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mund të zhvillohen mes periudhës mars-qershor, ndërsa ato të pushtetit vendor në vjeshtë, në shtator.

Në ditët në vijim, komisioni pritet të njihet edhe me ecurinë e procesit të hartimit të regjistrit kombëtar të shtetasve, i cili është një proces i lidhur me atë të listave të votuesve. Në punën e tyre, anëtarët e komisionit të posaçëm për reformën kanë përpara diskutime të zjarrta, siç janë ato për financimin e partive në fushatat elektorale, përfaqësimi në komisionet zgjedhore, procesi i numërimit të votave, etj. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kushtëzohen edhe nga ndryshimet kushtetuese, pas të cilave zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen mbi bazën e një sistemi rajonal proporcional.

Komisioni i Qendrës së Votimit, mendohet të ketë përbërje politike dhe një numër më të reduktuar anëtarësh se sa më parë. Numërimi i votave mendohet të jetë i përqendruar, në bazë të KZZ-ve. Listat e zgjedhësve dhe identifikimi i zgjedhësve do të jenë sërish produkt i regjistrave themeltarë të gjendjes civile të përditësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›