E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja takon kreun e doganave të Kosovës, avancim i bashkëpunimit për digjitalizimin dhe lehtësimin kufitar

TIRANE, 23 prill/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja u takua në Prishtinë me drejtorin e përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore.

Gjatë takimit u rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i konsoliduar ndër vite, duke vënë theksin në avancimin e proceseve të përbashkëta dhe modernizimin e shërbimeve doganore në funksion të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së eficiencës institucionale.

Palët diskutuan një sërë çështjesh me rëndësi strategjike, përfshirë lehtësimin e procedurave doganore, digjitalizimin dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave, forcimin e menaxhimit të riskut, si dhe thellimin e bashkëpunimit operacional në terren.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe lehtësimit të lëvizjes së mallrave dhe mjeteve në pikat kufitare, me qëllim reduktimin e kohës së pritjes dhe rritjen e transparencës në proceset doganore.

Beja u shpreh se objektivi kryesor mbetet çuarja e bashkëpunimit mes dy administratave në një stad më të avancuar, në funksion të tregtisë së ligjshme, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik rajonal.

Nga ana e tij, homologu kosovar, Agron Llugaliu, vlerësoi marrëdhëniet ekzistuese dhe ritheksoi angazhimin për thellimin e bashkëpunimit institucional, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe shkëmbimit të informacionit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›