Beleri i kërkon leje Gjykatës së Durrësit që të betohet si kryebashkiak i Himarës

Fredi Beleri ka bërë kërkesë në Gjykatën e shkallës së parë Durrës që t’i lejohet të largohet nga paraburgimi, në mënyrë që të betohet si kryetari i bashkisë së Himarës. Kërkesa e Belerit është dorëzuar pak ditë më parë, ndërsa tashmë pritet verdikti i Gjykatës.
Kujtojmë se më 26 nëntor Gjykata e Lartë i rrëzoi Belerit kërkesën për masë më të lehtë sigurie. Po ashtu, më 18 shtator, e njëjta kërkesë iu rrëzua edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Beleri u arrestua më 12 maj, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur që më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës dhe u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i policisë, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.
Në zgjedhjet e 14 majit, Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” u shpall fitues në Bashkinë Himarë përballë Jorgo Goros me një diferencë prej 19 votash.
Beleri, pjesë e minoritetit grek, u arrestua për blerje votash, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi. Ky i fundit u la nga GJKKO në “detyrim paraqitje”, për shkak të problemeve shëndetësore. Arrestimi i tij ka sjellë reagime të ashpra të Greqisë, që e kanë konsideruar shkelje të të drejtave të njeriut.
/rtsh.al/