Belgjika akuzon Gjermaninë për paga të ulëta
Ankesa
Rreth 7.5 milionë njerëz marrin vetëm 450 euro në muaj pa sigurime
Komisioni Europian mori një ankesë nga Belgjika mbi pagat e ulëta në disa kompani gjermane, të cilat konsiderohen nga Belgjika si një damping social i pandershëm. Qeveria e Belgjikës shkroi në ankesë se programi i Gjermanisë për mini-punë shkel rregullat e konkurrencës së BE-së.
Disa punëtorë në Gjermani marrin vetëm tre apo katër euro për orë pune dhe atyre nuk u ofrohet mbrojtje shoqërore. Shumë janë europianolindorë që punojnë në kompanitë e përpunimit të mishit në Gjermani. Për këtë program ka pasur kritika edhe brenda Gjermanisë.
Komisioni thotë se janë rreth 7.5 milionë njerëz që punojnë në programin e mini-punës në Gjermani. Kjo do të thotë se ata marrin deri në 450 euro në muaj pa paguar taksa apo kontribute për pension. Ata janë gjithashtu të përjashtuar nga skema e kontributit të punëdhënësit te sigurimet shoqërore.
Nga ana tjetër, në Belgjikë, punëtorët marrin minimalisht 12-13 euro për orë pune dhe që të gjithë janë të detyruar të japin kontribute për sigurimet shoqërore.
Belgjika dëshiron që Komisioni të ndalojë këtë konkurrencë të pandershme mes vendeve, tha zëdhënësja e qeverisë. Komisioni mund ta bëjë Europën një bashkim shoqëror. Ankesat janë ngritur nga disa kompani në Francë, Belgjikë dhe Holandë, veçanërisht ato që punojnë pranë kufirit me Gjermaninë.
Migrim nga lindja
Kompanitë e kasapëve në Belgjikë thonë se u rrezikohet mbijetesa dhe se po mendojnë të zhvendosin aktivitetin në Gjermani për të mbijetuar. Olaf Lies, ministër i Ekonomisë për shtetin e Saksonisë së Poshtme në Gjermani e ka mbështetur ankesën e Belgjikës. Ekonomia e Gjermanisë është një histori e rrallë suksesi në Europë në një kohë kur shumica e fqinjëve po vuajnë nga ngarkesa e madhe me borxhe dhe papunësia e lartë. Shumë polakë, bullgarë dhe rumunë kanë gjetur punë në Gjermani, veçanërisht në bujqësi dhe agropërpunim. Vetëm Gjermania dhe Malta nuk kanë një pagë minimale të detyrueshme në Bashkimin Europian.
Është shumë e padrejtë për shkak se Gjermania ka produktivitet të lartë, por e fiton avantazhin konkurrues përmes këtyre mini-punëve, tha një deputet gjerman, në mbështetje të ankesës së Belgjikës.
Belgjika akuzon Gjermaninë për paga të ulëta burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email