Belind Këlliçi me banorët e Tiranës: 30% të parkingjeve me pagesë do jenë falas

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçit takoi banorët e zonës së “Xhamllikut”, “Selitës” dhe te “5 Maji”.
Belind Këlliçi tregoi se angazhim i urbanit falas i kushton fare pak buxhetit të bashkisë dhe i shërben qytetarëve.
“246 milionë euro është buxheti i bashkisë. Autobusi falas kushton 16.5 milionë euro. Ta bëjnë llogarinë me mollë po deshën. 246 mollë është buxheti, 16.5 mollë është autobusi”, tha Këlliçi.
Në zonën e Xhamllikut, një ndër problemet që u ngrit si shqetësim nga qytetarët, ishte dhe çështja e parkingut. Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij, që këtij problemi t`i japë zgjidhje pas 14 majit, duke vënë në dispozicion të qytetarëve pa pagesë, 30% të parkingjeve që aktualisht janë me pagesë. Ai premtoi edhe ndërtimin e parkingjeve të reja në qytet.
“Zgjidhja për parkimin është fokusuar padiskutim te ai premtim që unë kam dhënë, që do t`i dedikoj të paktën 30% vende që janë me pagesë, do t`i bëjë pa pagesë për komunitetin. Do të shohim dhe mundësinë e parkimeve nëntokësore, në vende të caktuara, apo dhe të ndërtimeve me objekt vetëm parkimin e makinave. Pra të mos ndërtohen vetëm pallate, të mos ndërtohen vetëm objekte të mëdha, por të ndërtohen edhe godina të mëdha që të shërbejnë për parkimin e automjeteve siç i ka e gjithë bota”, u shpreh Këlliçi.
Nga Selita, ku mori denoncime për gjobvënien nga policia bashkiake, Belind Këlliçi, u angazhua që pas 14 majit, kjo polici të kthehet në shërbim të qytetarëve dhe jo në gjobvënëse të tyre.
“I them atyre qytetarëve që më shkruajnë, që më falenderojnë çdo ditë, për shkak se qëkur unë kam filluar të flasë, nuk janë më prezent policët bashkiak, janë zhdukur edhe nuk vendosin më gjoba për momentin, i them që kështu do të jetë edhe pas 14 majit. Me Belind Këlliçin kryetar bashkie Policia Bashkiake do të jetë polici komunitare. Do të jetë polici në shërbimin tuaj, jo t’ju gjobisi ju, jo t’ju marri shpirtin ju”-u shpreh Këlliçi.
/rtsh.al/