E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bello: Në fillim të 2010 do hyj në parlament

TIRANE- Sesioni i ri parlamentar mund t’i gjejë deputetët socialistë në parlament. Deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello, deklaron se do të kthehet shumë shpejt në Parlament. Në një intervistë për një median vizive shqiptare, ai shton se shpreson që së bashku me të ulen dhe kolegët e tjerë socialistë të cilët kanë bojkotuar Kuvendin që prej fillimit të sezonit parlamentar.I pyetur nëse kjo do të ndodhë në fillim të 2010-ës, Bello u shpreh: “Pa diskutim. Shpresoj të jem së bashku me kolegët e mi. Unë personalisht do të kthehem në parlament.Ka ardhur koha t’i jepet fund bojkotit”, - u shpreh Bello gjatë intervistës tv. Sipas tij “Bojkoti nuk është rruga që na çon atje ku duam të arrijmë. Bello tha më tej se “është e lehtë të bësh të zemëruarin, është e lehtë të bësh qejfmbeturin dhe të braktisësh institucionet, por nuk fiton asgjë. Atëherë, duhet kthyer në parlament. Unë e kam thënë dhe e përsëris që nuk kam ndërmend të djeg mandatin, të cilin ma kanë dhënë qytetarët shqiptarë”, - tha Bello.Edhe deputeti i kësaj partie, njëherësh kundërshtar i kryetarit Edi Rama, Kastriot Islami beson se në fillim të sesionit, që nis në janar 2010, ndoshta do të ketë ndonjë vendim për të thyer bojkotin nga i tërë grupi i PS-së, i cili sipas tij po reflekton dhe gjasat janë që të futet në parlament. “Unë besoj se do i qëndrojmë vendimit të grupit, sepse grupi po kërkon të gjitha mundësitë që të futet në parlament”, - Gazeta Shqiptare citon sot Kastriot Islami.I pyetur nga ‘Gazeta Shqiptare’, deputeti Islami sqaron se do të respektojnë vendimin e grupit, por saktëson se mund të hyjnë në Kuvend “nëse do të ketë ndonjë çështje që ka lidhje me proceset integruese të vendit dhe nëse pjesëmarrja jonë është e domosdoshme”- citon GSH . Ndërkohë, kryetari i PS-së, Edi Rama ka bërë të qartë se deputetët nuk do të kthehen në Kuvend dhe nuk do të ketë dialog me PD-në në rast se kryeministri nuk hap kutitë e 28 qershorit.(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›